Çfarë fshihet pas deklaratave nacionaliste rreth identitetit të Maqedonisë?

Kohën e fundit deklaratat radikale rreth identitetit të Maqedonisë, të thëna nga presidenti grek i nxitën deklaratat po aq radikale të partisë maqedonase në pushtet, edhe atë pikërisht tani që vendi po shkon në zgjedhje. Retorika të ngjajshme jemi mësuar t’i dëgjojmë në periudhat parazgjedhore. Megjithatë këtë herë, njohësit e çështjeve politike dyshimojnë se retorika në fjalë mund të jetë e planifikuar paraprakisht nga të dy palët, shkruan Portalb.mk.

“Deklaratat e fundit të presidentit të Greqisë në një mënyrë janë jo të zakonshme për një president kur i referohet situatës në një shtet me të cilin kanë problem, pra çështjen e emrit. Por indikative është se këto deklarata gjithnjë e më të shpeshta dhe më radikale vijnë në prag të zgjedhjeve në Maqedoni.”-tha kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani.

Sipas ish-ambasadorit të Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin, deklarata e Pavlopulos është e pafavorshme; nuk është as diplomatike, sepse në një farë mënyre paraqet përzierje në punët e brendshme të RM-së; madje është tërësisht e kundërt me deklaratat e Samitit të Liderëve të Evropës së vitit 2013, ku në Selanik i gjithë Ballkani Perëndimor ishte thirrur në bashkëpunim dhe evropeizimin. Në këtë rast sipas Ruzhin, kjo është një lloj kërkese e një jehone nacionaliste dhe sipas tij, i dedikohet para së gjithash forcave që ëndërrojnë t’i shfrytëzojnë tensionet ndër-etnike dhe ndër-shtetërore në retorikën e tyre dhe eventualisht në kampanjën e tyre.

 “Deklarata e Pavlopulos është dhënë në një moment të ndjeshëm për Republikën e Maqedonisë dhe për politikën e saj të brendshme në periudhë kur e gjithë elita politike përgatitet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor. Së pari, vendi prej ku është dhënë është me të vërtetë vend i afërt me Republikën e Maqedonisë; së dyti është dhënë në vizitën e vendit që konsiderehej si ‘Maqedonia e Egjeut’ dhe së treti kjo retorikë nacionaliste është tregim i përfunduar i Ballkanit, veçanërisht është befasuese që vie nga ana e politikanit, vendi i të cilit është anëtar i UE-së dhe NATO-s.” u shpreh ndër tjerash Ruzhin.

Ditë më parë ish drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sllobodan Bogoevski, tha se biznesmeni grek, Dimitris  Kondominas, ka ndikuar që Nikolla Gruevski, të vinte në krye të VMRO – DPMNE-së.

LEXO: Bogoevski: Gruevskin e solli një grek në VMRO, Mijallkovi ka qenë i arrestuar për tregti me drogë

Sipas njohësve të çështjeve politike lidhja e fshehtë mes elitës maqedonase dhe asaj greke nuk mund të vërtetohet pa dëshmi konkrete. Ashtu siç nuk mund të vërtetohet se të njëjtët paraprakisht janë dakorduar për ta përdorur retorikën nacionaliste. Megjithëatë as Ramadani e as Ruzhin nuk e përjashtojnë mundësinë e një skenari të tillë.

“Nëse i kemi parasysh informacionet që kohën e fundit po dalin nga shërbime të ndryshme, sigurisht informacione që ne nuk i kemi pasur deri më tani, del se kryetari i VMRO-DPMNE-së, kryeministri, gjithnjë paska pasur disa lidhje me personalitete greke, edhe pse ndoshta të biznesit, por sigurisht të gjitha këto kanë qenë në dijeni edhe të politikës greke. Del sikur fuqizohet Nikolla Gruevski që edhe një herë në retorikën e tij të përdor çështjen e emrit dhe nacionalizmin si formë për ta mobilizuar elektoratin për zgjedhje, me mendim se është ai që do ta mbrojë edhe më tutje çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.” tha për Portalb Ramadani.

Sipas Ruzhin, në mungesë të dëshmive gjyqësore kurrë nuk mund të vërtetohet me saktësi lidhja mes partisë maqedonase në pushtet me biznesmenët grek, tha Ruzhin. Por ai nuk përjashtoi mundësinë që një lidhje e tillë vërtetë të ketë ekzistuar, lidhje kjo që ka pasur ndikim në skenën e brendshme politike të Republikës së Maqedonisë.

“Kurrë nuk mund ta vërtetoni me saktësi, sepse situata është e tillë që nuk keni asnjë dëshmi. Por edhe po të mos ketë dëshmi, gjithsesi simptomatike është që ky lloj i porosive të papërshtatshme evropiane mund të përdoren nga forca që mendojnë në mënyrë jo-evropiane, kundër multi-etnicitetit, kundër bashkësisë, kundër një Evrope të qetë.” shtoi Ruzhin.

Gjithsesi sipas Ramadanit, elektorati tashmë di të mendojë politikisht dhe nuk do të bie pre e retorikës nacionaliste, siç theksoi “Kësaj radhe definitivisht më të paktë do të jenë në numër ata që do t’i besojnë fjalimeve me tone nacionaliste ose pseudo-patriotike dhe kjo si duket do të jetë prezent edhe në elektoratin maqedonas edhe në atë shqiptar”.

Sipas tij, elektorati pret punë konkrete, zhvillim ekonomik, përmirësim të jetës së tyre. Ashtu që në dhjetor do të përcaktohet për politikanë të mençur që kanë sens për kompromis dhe me një politikë pro-aktive do ta detyrojnë Greqinë në një të ardhme të afërt të bëhet më kooperative në zgjidhjen e çështjes së emrit, që do ti hap rrugë anëtarësimit në NATO dhe BE./Portalb.mk

LEXO: Pavlopulos: Do ta mbroj identitetin grek të Maqedonisë

LEXO: Poposki Pavlopulosit: Për fillim është mirë të denjësohet aktvendimi i GJND-së

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button