Shqiptari dhe Parlamenti nga këndi i Erazmo Roterdamit

Dhjetori, muaji i zgjedhjeve parlamentare, kur fjalën e ka demokracia që votën time duhet ta peshojë njësoj si votën hyjnore maqedonase. Shi për këtë dhjetori i sivjemë do të jetë më goxha, më zhurmues, më enigmatik… se vëllezërit e tij më të vegjël. Tashpërtash, askush nuk e di si do të mbyllet sezoni i shfaqjeve të teatrove levizës kasaba më kasaba, katund më katund, mëhallë më mëhallë. Tashpërtash, askush nuk mund t’i parashohë me fund efektet e dobishme dhe pasojat e shushatjes kolektive, që tani më kanë nisur të reflektojnë tendosje shumëdimensionale. Ma merr mendja, kjo do ta vinte para pikëpyetjes edhe një Erazmo Roterdam, i cili, 500 vjet më parë, i ngriti përmendore të pavdekshme marrisë njerëzore. Por, ne po flasim për zgjedhjet e shkretishtes ballkanike, ku është i pritshëm metastazimi i keq i marrisë së gjeniut: zgjatja apo shkurtimi i ndonjë gjymtyre të saj, prerja apo ngjitja e bishtave, ngulja e kujnave vendepavend, makiazhi dhe krehja ndryshe e leshrave të budallallëkut, ndryshimi i bazamantit të përmendores, ekspozimi i monumentit nëpër sheshe katundesh, të cilët disa personazhë e Erazmos i konceptojnë për qytete, për të mundur pastaj më lehtë ta stolisin veten me epitetin të qytetëruar, fjalë kjo që, me ligje gjuhësie, s’del assesi nga rrënja e emrit katund.

Unë them: s’ka gjë të keqe në këtë mes, sepse katunar jam dhe vetë dhe hiq s’ma nin. Me rëndësi është që kandidatët të cilët meritojnë të zgjedhen, pse jo edhe ata që kanë merak të zgjedhen, ta bëjnë rehat punën e tyre. Le t’i shpalojnë hartat e të ardhmes sime, tëndes, tonës… Le t’na tregojnë shkoqur dhe qartë ku e kanë ndër mend t’na shpiejnë? Le të luftojnë për qëndrimet e tyre me argumentet që kanë. Le të lobojnë me parimësi gjithandej ku mund ta bëjnë këtë. Le ta ngrenë zërin agorave, në daçin edhe katakombeve. Le të premtojnë gjithçka që mund të realizojnë nga dita që do t’i fitojnë zgjedhjet, e kështu me radhë. E drejtë e tyre, ama: le të mos i marrin hëzli çështjet që kanë të bëjnë me fatin e gjithë etnisë, le të mos vadisin kuturu, le të mos shesin kopalla, le të mos shpërndajnë mjegull, le të mos premtojnë eter, le të mos na i kripin trutë…, sepse asgjë nuk do t’i marrë në qafë më shumë se përçmimet eventuale që do t’ia bëjnë shqiptarit, që ndoshta duket qeshit së jashtmi, po t’shet e t’blenë si s’na e merr mendja. Kjo është dëshmuar sa e sa herë, apo?

Në veçanti nuk do të doja të përjetoj përvojat zgjedhore gri të çerekshekullit të pakthyeshëm, ku nuk kanë munguar burleskët e turmave pa tru, britmat e paartikuluara parahistorike, vringëllimat e shpatave, përbetimet e bashobozukëve të pabesë, betimet e hodumëve në burrni, betë për moral të pronarëve të bordellos, armiqësitë për vdekje të oponentëve politikë, ndërhyrjet gangsterçe në proceset zgjedhore…, para të cilëve çdo Erazmo do ta villte, jo për­mbajtjen, po lukthin e tërë, sepse është e dhimbshme të shohish imazhin e përdhosur të njerëzve të gjuhës, gjakut dhe vatanit tënd.

Tani, më lejoni t’ju them nga del shpirti, ç’detyra do t’i jepja vetes para se të kandidoja për zgjedhje, po të ma kishte falur Zoti dhuntinë dhe guximin për të kërkuar dogri votën e popullit: do të matesha në kandar për t’u njohur me peshën time reale; do ta sodisja veten gjatë në pasqyrë; do t’kërkoja prej atyre që më duan dhe atyre që më kanë zët, t’ma thonë: si e shohin profilin dhe shpinën time; do t’i bija përokolla shpisë për të parë çarjet eventuale; do t’i pyesja familjarët, miqtë, kolegët… a ma bëjnë hallall, se njerëz jemi…; do t’i lexoja pak më gjatë njerëzit në sy; do ta fusja nën llupë nivelin tim intelektual, aftësitë profesionale, veprat konkrete…; do ta ktheja kokën pas për t’u siguruar se s’më ndjek ndërgjegja; do t’i kruaja fanoliançe shokët e kauzës; do ta studioja takatin real të subjektit tim politik; do ta studioja në veçanti dinakërinë e tjetrit që mpreh satarën për qafën time; do ta pyesja veten seriozisht se me ç’mekanizëm do t’i ndal shqiptarofobët të mos i sulmojnë më nxënësit shqiptarë me shkopinj bejsbolli; si do të ndal britmat e “tifozëve” të sportit për vdekjen e shqiptarëve?; në konditat kur ligjet i vendos makineria e votave të shumicës së tjetrit, si do t’i ndal fushatat ushtarako-policore nëpër vendbanimet shqiptare?; si do ta siguroj paqësisht votimin e ligjeve për barazi të plotë gjuhe, flamuri, punësimi, arsimimi, financimi…?; në shtetin që udhëhiqet nga pinjollë diktatorësh, si do ta ndryshoj kushtetutën me mjete paqësore; si do të vij gjer te çelësat e hapsaneve në qytetet me shumicë shqiptare?; si do ta siguroj qasjen në magaze armësh, si bashkëvendësit e mi: petkoja, stankoja, mitkoja…?; si do të ndal ekzodin e të rinjëve shqiptarë?; cili partner koalicioni do të pajtohet me investimet në kapacitete ku do të punësohej rinia shqiptare?; se do t’i rris pagat mizerje të të punësuarve aktualë?; si do ta luftoj metilin shqipfolës që grimcon pariparueshëm substancën etnike?; si do të bind dy shtetet shqiptare që të interesohen për fatin tonë, në një kohë kur Beogradi ndan për serbët e Kosovës nga 650.000,00 EUR-o në ditë, kurse dy qeveritë shqiptare e ndihmojnë Luginën e Preshevës një herë në njëmijë vjet me 100.000,00 EUR-o? e hajt bir e më the e të thashë, sepse unë jam zgjedhës dhe kam të drejtë të shtroj pyetje. Përveç kësaj, nuk e kam për turp të mirëpres  mësimet e më të diturve, më të aftëve, më largpamësve, më vizionarëve se vetvetja.

Ma thoni pra, sepse dua të dal në votime për të zgjedhur me qejf më të mirin prej më të mirëve, jo të keqen më të vogël për ngushëllim.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button