A e ka seriozisht opozita shqiptare?

Mandej, duket se tek disa subjekte opozitare shqiptare janë krijuar ndjenjat e vetëkënaqësisë dhe të mendjemadhësisë dhe ndonjëherë krijohet përshtypja se ata nuk e kanë seriozisht kur thonë se qëllim parësor e kanë të rrëzojnë nga pushteti Bashkimin Demokratik për Integrim. Kjo sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe mos angazhimi për të mbledhur rreth vetes njerëz të rinj dhe pa hipoteka, të cilët mundën dhe duan ta japin kontributin e tyre në skenën politike shqiptare.

Zgjedhjet e dhjetorit po afrojnë, ndërsa skena politike në vend bëhet gjithnjë më e elektrizuar. Dhe, ky tension vërehet edhe tek qytetarët, të cilët  janë bërë pre e politikave shterpe të subjekteve politike, por edhe tek subjektet politike rivale. Fatkeqësisht, pre e politikave të subjekteve politike janë bërë edhe mediumet, nëpërmjet të cilave këto subjekte dëshirojnë të krijojnë pozicione më të forta në elektorat. Pra, edhe mediumet rivalizojnë njësoj si subjektet politike, duke përkrahur ose refuzuar opsionet respektive, varësisht se cilin subjekt “përkrahin” Dhe që fatkeqësia të jetë më e madhe, disa prej tyre janë bërë vegël e këtyre subjekteve, në vend që të jenë zëri i së vërtetës, duke mbrojtur interesin e publikut.

Nga ana tjetër, duket se këto zgjedhje do të jenë më të tensionuarat se pjesa më e madhe e zgjedhjeve që janë mbajtur deri më tani. Kjo, sepse  rivalët politik sillen sikur “fatet” e tyre të varen nga rezultati në këto zgjedhje, themi të tyre sepse për fatin e qytetarëve të këtij vendi zor se mendon dikush. Në fakt, gjithsesi që subjektet politike duhet të pretendojnë që të fitojnë në zgjedhje, por ama kur kjo duhet të arrihet me çdo kusht dhe pa zgjedhur mjetet, atëherë diçka me konceptet e tyre politike nuk është në rregull. Dhe, është kështu sepse duke krijuar situata parazgjedhore me shumë tension, ata bëjnë presion dhe shkaktojnë frik tek zgjedhësit dhe kjo nuk i shërben demokracisë e progresit.

E gjithë kjo situatë e krijuar nxjerr në pah rivalitetin e ashpër apo më mirë të themi armiqësinë, sidomos midis subjekteve politike maqedonase, ndërsa në skenën politike shqiptare ende ka paqartësi se “kush me kë është” dhe “kush me kë rivalizon”. Në fakt, kjo ndjenjë është krijuar tek elektorati shqiptar, pas akuzave dhe kundër akuzave që partitë politike shqiptare bëjnë ndaj kundërshtarëve politik, madje duke “përdorur” jo rrallë edhe disa medie.

Në skenën politike shqiptare  Bashkimi Demokratik për Integrim, që një kohë të gjatë merr pjesë në pushtetin ekzekutiv, ndihet e sigurt në pozicionin e saj dhe këtë siguri e ushqejnë edhe me rezultatet e anketave që jo rrallë publikohen në media këtyre kohëve të fundit, rezultate këto të cilat gjithsesi që konsiderohen të manipuluara nga rivalët e tyre politik. Në Bashkimin Demokratik për Integrim ka gjasë që të krijohen hatërmbetje pas përcaktimit të kandidaturave për deputet, por ky subjekt në të kaluarën pa dhimbje i ka tejkaluar këto situata. Por, ama nga ana tjetër nuk dihet se si dhe në ç’masë do të mund ta përballojë ky subjekt politik pakënaqësinë në rritje të elektoratit shqiptar në raport me inferioritetin që tregon  ndaj partnerit të saj të koalicionit dhe gjendjen e vështirë të shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës këtu.

Ndërkaq, skena politike opozitare shqiptare duket më e përçarë se kurrë. Do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë rezultati zgjedhor do të arrijë Partia Demokratike Shqiptare tani që  nga gjiri i saj është krijuar një subjekt tjetër politik (LR PDSH). Nga ana tjetër edhe LR PDSH do ta ketë rastin që në këto zgjedhje ta mësojë forcën  e saj politike, siç dihet së bashku me dy partnerët e saj, njërin krahë të RDK-së dhe partinë “Uniteti”, parti kjo e krijuar nga të pakënaqurit brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

Edhe Lëvizja” Besa” ka pretendime të mëdha në këto zgjedhje. Ajo do të futet në garën zgjedhore së bashku me njërin krahë të RDK-së duke ka refuzuar që të hyjë në koalicion me LRPDSH me pretendimin se është forcë më e madhe dhe më me besim në elektorat se ky subjekt. Gjithsesi, që raportet midis këtyre dy subjekteve (“Besa” dhe LRPDSH) janë ashpërsuar tej mase dhe pothuajse janë humbur të gjitha gjasat që ato të shkojnë së bashku në zgjedhje,

Në këso rrethanash blloku opozitar shqiptarë është tejet i përçarë edhe pse subjektet përbërëse të këtij blloku në mënyrë kozmetike, nëpërmjet lidhjes së koalicioneve, duan të japin mesazhin tek elektorati se janë bashkuar, në kushtet kur nuk janë të paktë zërat që kërkojnë me ngulm bashkimin e opozitës, si mundësi e vetme për ta mposhtur BDI-në.

Koalicionimi i  Lëvizjes “Besa” me njërin krah të RDK dhe LRPDSH-s me “Uniteti”-n e njërin krah të RDK-së duket se më shumë kanë efekte propagandistike se sa

Reale, në kuptimin e forcimit të opozitës.

Në kushtet kur BDI ka një strukturë stabile që determinohet nga joshja  e njerëzve nëpërmjet të “mirave” të pushtetit, kur PDSH që aktualisht është partia e vetme opozitare shqiptare që është sprovuar në zgjedhje, por që asnjëherë nuk ka dhënë ose nuk ka pranuar oferta për bashkëpunim opozitar, kur LRPDSH dh “Besa” nuk kanë arritur ose nuk kanë dashur të koaliconojnë me njëra tjetrën, opozitës shqiptare i shkruhet keq.

Mandej, duket se tek disa subjekte opozitare shqiptare janë krijuar ndjenjat e vetëkënaqësisë dhe të mendjemadhësisë dhe ndonjëherë krijohet përshtypja se ata nuk e kanë seriozisht kur thonë se qëllim parësor e kanë të rrëzojnë nga pushteti Bashkimin Demokratik për Integrim. Kjo sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe mos angazhimi për të mbledhur rreth vetes njerëz të rinj dhe pa hipoteka, të cilët mundën dhe duan ta japin kontributin e tyre në skenën politike shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button