Jugohromit i skadon afati për vendosjen e filtrave, qytetarët skeptik për mbylljen e kombinatit

Banorët e Tetovës nuk besojnë se kombinati i Jugohromit do të ndërpresë punën në fund të këtij muaji pavarësisht se nuk ka respektuar afatin e qeverisë që deri më 31 tetor të ndërtojë sistemin e filtrave për të mbrojtur ambientin nga gazrat që liron. Tetovarët thonë se për Jugohromin nuk vlejnë ligjet, pasi ky metalurgjik edhe në të kaluarën nuk ka respektuar afatet e qeverisë dhe për këtë nuk është penalizuar asnjëherë, shkruan Alsat-M.

“Deri më tani si ka shkuar, do vazhdojë edhe pakufi, shpresoj por shpresat janë të vogla shumë”.

“Duhet të punojë, por duhet të vë filtrat që t`mos ndot”.

“Nuk dua të dëgjoj për Jugohromin më, jam pensionuar nuk dua ta dëgjoj më atë”.

“Si ka punuar sërish do vazhdoj, duhet të mbyllet për çështje të shëndetit por…”.

Nga ana tjetër, organizatat për mbrojtjen e ambientit paralajmërojnë protesta masive nëse Qeveria i jep afat shtesë Jugohromit për vendosjen e filtrave.

“Është praktikë që tash më është përsëritur disa herë dhe më tash jemi të sigurt nuk është e dyshimtë se nuk do të mbyllet, prandaj dhe përgatisim aktivitet. Por nuk mjafton vetëm ne si organizatë, të gjithë qytetarët, të gjithë njerëzit që janë të vetëdijshëm për dëmin që na shkaktohet nga kjo ndotje në mënyrën e vetë duhet të ndihmojë dhe ndikojnë për ndryshimin e situatës”, u shpreh Elmedina Abdullahi, nga Organizata Nëna dhe Fëmija.

Pavarësisht shqetësimit të madh të banorëve për ndotjen e lartë gjatë dimrit, kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, kërkon zgjidhje gjysmake të problemit. Ajo ka bërë thirrje që deri në mars Jugohromi të mos funksionojë.

“Ky kombinat deri sa nuk i vendos filtrat gjatë muajve të dimrit të mos punojë deri në mars, kurse Qeveria të merr përsipër të mbulojë dotacionet sa iu përket rrogave të punëtorëve”, tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Kombinati i Jugohromit deri më tani ka shkelur 3 herë afatet e qeverisë për ndërtimin e sistemit të filtrave, por ndaj këtij metalurgjiku asnjëherë nuk janë marrë masa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button