Kosovë, protestat e studentëve bëjnë xhiron e botës

Lajmi për përshkallëzimin e protestave të djeshme në dhunë në oborrin e rektoratit të UP-së, ka bërë xhiron e botës duke nisur nga Afrika, Evropa e duke përfunduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E përditshmja spanjolle “El Pais”, ka pasqyruar protestën në faqen e saj online. “Euronews” gjithashtu i ka kushtuar një hapësirë këtyre protestave, ku shkruan se studentët janë të vendosur ta çojnë kauzën e tyre deri në fund  kundër zyrtarëve të korruptuar të institucionit të lartë arsimor, transmeton gazeta Start.

 “Disa studentë hedhin qumësht në sytë e një mikeje të tyre, pas përleshjeve me policinë e cila hodhi gaz lotsjellës gjatë një demonstrate në Prishtinë, Kosovë”, thuhet poshtë fotografisë së publikuar nga “AP”-ja, e realizuar nga reporteri i saj në Kosovë, Visar Kryeziut.

Lajmi nuk i ka shpëtuar as faqeve prestigjioze “yahoo.com” “news.com”, “Reuters”, “Globalpost” dhe faqjes afrikane “afriquejournaliste.com”.

Ngjarja shoqëruar me foton e një protestueseje që i vijnë në ndihmë studentë të tjerë është është publikuar po ashtu edhe në “New York Times”.

Studentë të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, të mbështetur edhe nga shoqëria civile, prej gati një jave po vazhdojnë protestat kundër kreut të rektoratit, Ibrahim Gashi, që akuzohet për shpërdorim detyre dhe mashtrim.

Studentët kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen deri sa rektori të japë dorëheqje dhe ndaj tij të fillojë hetimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button