Maqedoni, paguajnë ngrohje, e ngrohje nuk kanë!

Mbi 4000 qytetarë janë duke u ballafaquar me aktvendime gjyqësore të formës së prerë, duke u detyruar të paguajnë për ngrohje, megjithëse nuk kanë ngrohje. Ata detyrohen të paguajnë sepse në banesat e tyre kalojnë tubat e sistemit të ngrohjes. Numri i saktë i përdoruesve të shkyçur nuk dihet saktë për arsye se as “Ngrohtorja” dhe as furnizuesi i tanishëm me energji termike “Ballkan Energy Group” (BEG) nuk sigurojnë të dhëna. Sipas përllogaritjeve të qytetarëve të shkyçur nga rrjeti i ngrohjes, deri në vitin 2012 janë shkyçur gjysma e përdoruesve ose rreth 20.000 qytetarë. Një pjesë e tyre ose rreth 8000 qytetarë, duke u ballafaquar me presionet e përmbaruesve dhe paditë, janë kyçur përsëri në sistemin e ngrohjes, ndërsa 12.000 të tjerë mbetën të shkyçur. Ndërkaq, rreth 4000 qytetarë nuk duan të paguajnë të ashtuquajturën “vlerë e shtuar e fuqisë së angazhuar” ose për kalimin e tubave të rrjetit të ngrohjes nëpër banesat e tyre. Për këtë arsye, Kompania BEG ka vendosur të padis këtë kategori, ndërsa numri i padive është në rritje të vazhdueshme, sepse qytetarët që nuk duan të paguajnë të ashtuquajturën “vlerë e shtuar e fuqisë së angazhuar” – fitojnë padi të reja çdo gjashtë muaj. Sipas vlerësimeve të Shoqatës që merret me mbrojtjen e interesave të kësaj kategorie, BEG ka ngritur mbi 30.000 padi të këtij lloji. Qytetarët e shkyçur vlerësojnë se procedura që zhvillohet kundër tyre është kundërligjore. Ata janë të revoltuar me shumën që detyrohen ta paguajnë, shumë kjo e cila për një banesë prej 50 metra katrore arrin në 600 denarë. Ndërkaq, familjet që paguajnë për ngrohjen e një banese me të njëjtën sipërfaqe paguajnë nga 2000denarë. Një pjesë e këtyre qytetarëve dorëzojnë me kohë ankesat në gjykatë, duke pritur epilogun gjyqësor. Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre si rezultat të frikës nga shpenzimet plotësuese, paguajnë menjëherë aktvendimet e formës së prerë. Sipas të dhënave të Gjykatës Themelore Shkupi 2 – Shkup, vetëm vitin e kaluar plotë 521 familje nga Shkupi janë paditur, ndërsa paditë janë shoqëruar me propozimin për lëshimin e urdhërpagesave. Më vonë, aktpaditë procedohen në gjykata, të cilat vendosin nëse përdoruesit duhet të paguajnë shumat e kërkuara. Ndërkaq, pranë Gjykatës së Apelit, lidhur me kërkesat e kompanisë BEG janë duke u zhvilluar procese për 360 qytetarë. Qytetarët e pakënaqur tre vjet me radhë ose çdo të shtunë protestojnë në sheshin “Pela” në Shkup. Megjithëse janë shkyçur nga sistemi i ngrohjes kohë më parë, ato rregullisht pranojnë llogari me të cilat prej tyre kërkohet të paguajnë të ashtuquajturën “vlerë e shtuar e fuqisë së angazhuar”. Disa prej tyre në banesat ku jetojnë nuk kanë as gypa.

Pengesa me Rregulloren e rregullatorëve

Përveç mbrojtjes nga diskriminimi dhe nga padrejtësia, kjo kategori qytetarësh kërkon edhe ndryshimin e Rregullores së distribuimit të energjisë termike, rregullore kjo e miratuar nga ana e Komisionit rregullator të energjetikës (KRrE), me të cilën parashihet pagesa e të ashtuquajturës “vlerë e shtuar e fuqisë së angazhuar”. Për mendimin e qytetarëve, akti nënligjor përkatës nuk është në përputhje me asnjë normë ligjore. Ndërkaq, zyrtarët e KRrE theksojnë se bëhet fjalë për një detyrim që rrjedh nga banimi kolektiv dhe planet urbanistike të qyteteve, me të cilat janë paraparë mënyrat e ngrohjes së objekteve. Sipas tyre, në bazë të banimit kolektiv dhe planeve urbanistike të qyteteve dimensionohen instalimet e ngrohjes dhe instalimet elektrike. “Me shkyçjet individuale të njësive të banimit në objektet kolektive çrregullohet balanca termoenergjetike e objekteve, zvogëlohet efikasiteti i shfrytëzimit të energjisë termike dhe çrregullohet sistemi energjetik në përgjithësi. Me pagesat që i bëjnë përdoruesit e shkyçur, pjesërisht bëhet amortizimi i shpenzimeve të ngrohjes së përdoruesve aktiv dhe njëkohësisht bëhet pengimi i spirales së shkyçjeve në objektet përkatëse sepse sa më shumë përdorues të shkyçen, aq më shumë do të rriten shpenzimet e përdoruesve aktiv, nëse ato do të mbulojnë vetë shpenzimet e ngrohjes së objektit”, sqaruan zyrtarët e KRrE, duke iu përgjigjur pyetjeve të BIRN lidhur me bazën ligjore të rregullave përkatëse. Me rregullat dhe sqarimet e këtij lloji megjithatë nuk dakordohet Zyra e Avokatit të Popullit, e cila ka informuar edhe KRrE-në. Avokati i Popullit thotë se, fakti që njerëzit jetojnë në një objekt – nuk mund të jetë bazë për faturimin e shumës që ka të bëj me të ashtuquajturën “vlerë e shtuar e fuqisë së angazhuar”. Arkëtimi i shumës përkatëse të energjisë termike nuk është një taksë publike dhe për këtë arsye – qytetarët nuk kanë për detyrë ta paguajnë të njëjtën, përveç në rastet kur duan të ngrohen në këtë mënyrë. Momçillo Ivanovski, një qytetar i shkyçur nga sistemi i ngrohjes, është paditur disa herë dhe thotë se kompania BEG nuk ka licencë për të arkëtuar shumat e shërbimeve të ngrohjes. “Dua t’u bëj një pyetje gjyqtarëve. A nuk e kuptuan se përmbaruesit i bënë miliarderë? Unë dua të bëj disa pyetje shumë të thjeshta sepse me pyetjet e komplikuara mund të shkaktoj konfuzion tek gjyqtarët. Cilin ligj e shkelim ne me prishjen e Kontratës me Ngrohtoren? Ligji lejonte një gjë të tillë. Me cilin ligj kompania BEG i mori të dhënat tona personale nga ‘Ngrohtorja’ dhe përse kjo e fundit ia dha kompanisë BEG? Në rastin konkret kemi të bëjmë me zhvillimin e procedurës në një mënyrë kundërligjore”, thotë Ivanovski. Zhivko Avramovski, një qytetar i shkyçur nga sistemi i ngrohjes, thotë se atij i është shkelur e drejta e të jetuarit me dinjitet. “Nëse urdhri i përmbarimit do t’i dërgohet qytetarit, ky i fundit me një ankesë mund të refuzojë urdhrin dhe procesi me automatizëm kalon në Gjykatën Themelore Shkupi 2- Shkup. Megjithatë, rreth 10 noterë shumë shpesh i dërgojnë urdhrat e përmbarimit me firma private të angazhuar në fushën përkatëse, që cilat nuk i dorëzojnë urdhrat përkatës dhe rastet me automatizëm kalojnë tek përmbaruesit pa iu mundësuar qytetarëve e drejta e reagimit. Përmbaruesi ndërkohë realizon përmbarimin me bllokimin e llogarive të qytetarëve, bën arkëtimin e shërbimeve të tij, megjithëse ky lloj veprimi nuk ka një bazë ligjore”, thotë Avramovski. Siç sqaron Nenov, përfaqësuesi i Organizatës “No pasaran”, procedura e ngritjes së padive kundër qytetarëve fillon me angazhimin e avokatëve, të cilët për një shumë prej 4000 denarë përgatisin propozime përmbarimi në bazë të një dokumenti valid dhe të njëjtin e dorëzojnë në një nga zyrtar e 13 noterëve që punojnë me kompaninë BEG. Në Dhomën e noterëve të Maqedonisë sqarojnë se nuk kanë të dhëna lidhur me emrat e noterëve që procedojnë rastet e kompanisë BEG.

Ideja origjinale e “Ngrohtores”

Ideja origjinale të paguajnë edhe qytetarët e shkyçur është e “Ngrohtores”, të cilës ideja “i lindi” në vitin 1982, gjatë kohës së ndërtimit të lagjes së Aerodromit ku kishte një numër i madh banesash boshe që nuk ishin lidhur në rrjetin e ngrohjes. Në atë kohë rritje të vazhdueshme regjistronte numri i qytetarëve që nuk deshën të kyçen në rrjetin e ngrohjes, ndërsa një pjesë e përdoruesve të sistemit filluan të dorëzojnë kërkesa për shkyçjen e tyre, që në fakt detyroi kompaninë që vepronte e vetme në treg të kërkojë nga Këshilli i Qytetit të Shkupit qytetarët që u shkyçën nga rrjeti i ngrohjes të fillojnë të paguajnë 50% të shumës së llogarisë mujore të ngrohjes, në rast se nuk do të jetojnë në banesat përkatëse. Ato që jetonin në banesat e tyre u detyruan të paguajnë ose të dorëzojnë kërkesa pranë “Ngrohtores”, me të cilat do të sqaronin alternativën e ngrohjes. Komiteti i Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vlerëson se mënyra e veprimit të Kompanisë BEG me qytetarët e shkyçur nga sistemi i ngrohjes është vjedhje klasike nga ana e shtetit. “Për momentin nuk mund të bëhet asgjë për këtë kategori qytetarësh. Ne ngritëm një iniciativë pranë Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit e refuzoi të njëjtën. Duhet ndryshuar ligji që të ndryshojnë edhe punët. Ne e kemi të qartë se gjithçka është kundërligjore. Gjatë miratimit të sistemeve tarifore të energjisë elektrike janë theksuar paragrafë ligjor që nuk ekzistojnë. Për këtë arsye lindin dyshime nëse janë respektuar të gjitha dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga monopolet dhe të drejtat e konsumatorëve, të drejta këto që janë paraparë me Ligjin e energjetikës si një detyrim i Komisionit. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me gabime teknike, por me gabime thelbësore me të cilat vihen në pikëpyetje qartësia, saktësia dhe marrja parasysh e ligjeve dhe akteve nënligjore, por njëkohësisht edhe rëndësia e tyre në sistemin ligjor”, thotë Uranija Pirovska, përfaqësuese e Komitetit të Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 

Zvarritjet nëpër gjykata

Avokatja Gordana Karkallasheva, përfaqësuese e qytetarëve të pakënaqur, thotë se përveç këtyre problemeve qytetarët ballafaqohen edhe me bllokimin e gjykatave. “Tani për tani kemi vetëm një aktgjykim të vërtetuar nga ana e Gjykatës së Apelit, që është shqiptuar në favor të qytetarëve. Në rastin konkret, në kohën kur familja përkatëse u akomodua në objektin e ri, ai ishte pa instalim ngrohjeje. Më vonë objekti u kyç në sistemin e ngrohjes, por familja nuk deshi të jetë pjesë e rrjetit të ngrohjes. Për mendimin tim, të gjitha rastet e këtij lloji do t’i fitojmë në gjykatë”, thotë Karkallasheva. Megjithëse Karkallasheva ka fituar mbi 40 aktgjykime të formës së prerë, që janë shqiptuar në favor të qytetarëve të shkyçur nga sistemi i ngrohjes, rastet në fjalë kthehen nga Gjykata e Apelit. Ndërkaq, Gjykata e Apelit në Shkup ka hedhur poshtë akuzat e avokates. „Gjyqtarët veprojnë dhe marrin vendimet në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë dhe në përputhje të Kodit të etikës gjyqësore, duke marrë vendime të pavarura dhe të paanshme, që mbështeten me materialet dhe provat e parashtruara”, sqarohet me përgjigjen e Gjykatës së Apelit, përgjigje e dhënë me kërkesë të BIRN. Sllobodanka Dimitrovska, një femër e papunë, thotë se gjatë seancës së parë gjyqësore ajo ka përjetuar një shok. Ajo ka kërkuar anulimin e seancës dhe për këtë arsye verbalisht u sulmua nga avokatja e kompanisë BEG, e cila i ka thënë se ka pasur për detyrë të përgatitet për gjykimin. “Megjithëse e kanë të qartë se përfaqësojnë diçka të rremë, ato vazhdojnë të punojnë kundër Kushtetutës dhe kundër shtatë ligjeve dhe kontratave ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dhe plus mua më thotë se u dashkam të përgatitem për gjykimin”, thotë Dimitrovska. (BIRN)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button