Sistemi arsimor nuk i njeh fëmijët me disleksi

Disleksia paraqet vështirësi në të lexuarit dhe në të kuptuarit e asaj që lexohet, gjendje kur fëmijët nuk i njohin shkronjat ose ato iu përzihen me shkronja të tjera. Për këtë shkak, shpesh largohen nga nxënësit tjerë, prindërit që nuk i kuptojnë i quajnë budallenj dhe përjashtohen nga shoqëria, shkruan NovaTv, transmeton Portalb.mk.

Këta fëmijë kanë inteligjencë normale ose inteligjencë të zhvilluar mbi mesataren. Por, ajo që shqetëson është se sistemi arsimor në Maqedoni nuk i njeh fëmijët me disleksi. Pikërisht për këtë keqkuptim dhe mungesën e njohjes nga ana e mësimdhënësve dhe pedagogëve, fati ka luajtur me 24 vjeçaren, Leadona Xhemail, punëtore sociale. Leadona rrëfeu se kur ishte në klasë të parë, u nda nga vëllai i saj binjak dhe u dërgua të mësonte në paralele bashkë me fëmijët me nevoja të veçanta. Por, ajo ka arritur të gjendej me ndihmë të më të afërmve të saj, nga të cilët pati mbështetje. Sot ajo është me arsim të lartë dhe personalitet i formuar, e vetëdijshme se me këtë lëshim, sistemi arsimor i bëri shumë padrejtësi.

Fat të ngjashëm ka edhe dhjetë vjeçari, Teo Arsov të cilit disleksia i është zbuluar qysh në moshën pesë vjeçare duke u endur nga dera në derë në institucionet shëndetësore.

Mësimdhënësit nuk janë të interesuar, punëtorët profesional nuk e njohin disleksinë

Edhe pas formimit të ekipeve inkluzive për të punuar me fëmijët me nevoja të veçanta nëpër shkolla, mësimdhënësit nuk e dinë se si ti trajtojnë fëmijët me disleksi, ata janë në dilemë nëse me to duhet të punojnë sipas programit të paraparë për fëmijët tjerë me nevoja të veçanta. Mësimdhënësit për këta nxënës përdorin metoda më të ndryshme për punë, bëhen plane tjera mësimore ashtu që fëmijët me disleksi nuk kanë dobi prej këtij programi të të mësuarit, transmeton Portalb.mk

Ka situata kur shumë nga mësimdhënësit nuk duan të punojnë me fëmijë që kanë disleksi sepse sipas tyre, ajo është humbje kohe për shkak se nuk mund të nxisin vëmendjen e nxënësve të tjerë në klasë.

Në bisedë me mësimdhënësit NovaTv mësoi se shumica e tyre nuk duan të trajnohen për punë me fëmijët që kanë disleksi sepse duhet që vetë ta paguajnë trajnimin. Kështu është i vogël numri i mësimdhënësve që shkojnë në trajnime të organizuara nga Shoqata për disleksi “Ajnshtajn”, e cila është e vetmja në Maqedoni dhe vlerësojnë se nuk janë sa duhet të përgatitur. Mësimdhënësit thonë se nuk u janë sqaruar mjaftueshëm metodat e punës me këta fëmijë, por vetëm mënyrat në të cilat ata i pranojnë informatat më lehtë, por kjo nuk është e mjaftueshme.

Silvana Filiçova, logopede e cila punon në këtë problematikë dhe mirë e kupton disleksinë, tha se është lehtë të njihet fëmija i cili ka problem me leximin. Ajo në të kaluarën dhe vetë ka pasur disleksi, por arriti ta tejkalojë.

“Një person i mirë profesional mund ta njohë disleksinë dhe ta parandalojë qysh në moshën parashkollore në bazë të vetëdijes fonologjike të fëmijës” sqaroi Silvana Filipova, logopedë në Negotinë. Ajo e vërtetoi edhe me shembullin e saj personal se arriti ta tejkalojë këtë problem.

Në Maqedoni nuk ka të dhëna precize se sa njerëzit kanë disleksi. Sipas anketës së bërë nga ana e Shoqatës për disleksi “Ajnshtajn”, në dy shkolla të mesme, 17% e shkollarëve të mesëm kanë disleksi.

Sipas hulumtimit të bërë për këtë storje gazetareske janë hulumtuar 130 studentë nga Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip dhe në kampusin në Shkup. Anketa tregoi se 20 studentë ose 16% prej tyre kanë disleksi.

Në Maqedoni ka vetëm një person me licencë për punë me fëmijë që kanë disleksi, ku dërgohen fëmijët nga ana e Shoqatës për disleksi “Ajnshtajn”. Por prindërit thonë se ato tretmanë për ta janë shumë të shtrenjta dhe të paarritshme.

“Na kërkojnë 1000 denar për tretman që zgjat 6 ditë në javë. I gjithë tretmani mbahet gjashtë javë në vazhdimësi. Atë nuk mund ta lejojmë” sqaroi e revoltuar Suzana M., prind i një fëmijë me disleksi.

Prindërit ankohen  se fëmijët e tyre përjashtohen nga shoqëria, shokët i përqeshin se nuk lexojnë dhe nuk flasin mirë. Ata thonë se janë viktimë e sistemit që i përjashtoi nga njëri ekspert në tjetrin, kurse defektologët dhe logopedët akoma nuk dinë cili prej tyre është kompetent të punojë me ta.

Për dallim prej neve, në vendet e zhvilluara ekzistojnë mënyra bashkëkohore për njohjen dhe tretmanin e këtyre fëmijëve. Në Slloveni, për shembull, studentët para se të hyjnë në cilindo provim e mbushin një formular, në bazë të të cilit marrin një test, të përshtatur për ta dhe mundësitë e tyre.

Derisa bota shumë kohë më parë e njohu disleksinë, në Maqedoni ajo edhe në shekullin XXI mbetet e panjohur. Fëmijët me disleksi konsiderohen si nxënës të këqij dhe budallenj dhe diskriminohen nga shoqëria.

Storja është përpunuar në kuadër të projektit “Gazetari hulumtuese- mbrojtës i demokracisë dhe të drejtave njerëzore” të implemetuar nga Qendra për menaxhim me ndryshime dhe Instituti për të drejtat e njeriut, i financuar nga Unioni Evropian dhe i kofinancuar nga Ambasada e Britanisë në Shkup. Përmbajtja e storjes hulumtuese nuk paraqet pikëpamjet e UE-së apo të Ambasadës Britanike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button