Propaganda politike – fund i seriozitetit të një mediumi

[Recension: “Paraqitja e Afrimit të BESËS e trishton Grubin – po i vjen fundi BDI-së”]

 Instrumenti më i fuqishëm i propagandës politike ngelet masmedia. Jo se ky është qëllimi i mediave, por sepse kështu ndodh nëse mediat shfrytëzohen për qëllime politike. Mirëpo, ka një gjë që është shumë e rëndësishme të theksohet. Që të ketë një propagandë politike efektin e duhur, nuk mjafton vetëm një medium. Mezazhi zakonisht përcillet përmes më tepër mediave, sepse kur publiku dëgjon një informacion që përsëritet nga më shumë media, atëherë ai fillon të mendojë seriozisht për të. Pra, propaganda politike realizohet nëpërmjet një zinxhiri mediatik. Dhe, kjo nuk është një gjë e mirë.

afrimgashi_2Linku për te artikulli origjinal: Paraqitja e Afrimit të BESËS e trishton Grubin – po i vjen fundi BDI-së

Data dhe koha e publikimit: 12.10.2016

Data e recensionit: 14.10.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Këtu kemi një tekst absolutisht të njëanshëm. Ekzistojnë shumë media që janë thellë të bindura se me kontributin e tyre do të mund të ndikojnë për t’i mbushur mendjen elektoratit që të votojnë për atë parti politike, të cilën e mbështesin këto media. Ka nga ato që e quajnë edhe detyrim kombëtar për të mbështetur një forcë politike. Apo edhe mision jetësor. Gjithçka është e mundur në një numër të madh të mediave tona. Vetëm një gjë nuk po bëhet e mundur: të kuptojnë se cili është roli i tyre dhe të punojnë në kuadër të këtij roli. Janë bërë zëdhënës partie, avokatë të politikanëve, truproje të tyre e kështu me radhë. Është pothuajse ekspeditë e dështuar nëse nisesh të kërkosh një medium me standarde profesionale.

Teksti niset kryekëput nga disa qëndrime të një partie politike. Tregon në fillim se cili është prioriteti i kësaj partie dhe del se prioriteti më i madh i Lëvizjes Besa është rrëzimi i BDI-së. Çudi e madhe. Pse ato partitë e tjera çfarë prioriteti kanë, apo të luten natë e ditë që përsëri të fitojë BDI-ja dhe ato të humbin?! Për pushtet që jep mundësinë e realizimit të përcaktimeve programore dhe ideologjike luftojnë të gjithë, se për çfarë tjetër?

Sidoqoftë, kjo ka të bëjë me rëndësinë që i kushtohet një deklarate që nuk thotë asgjë. Pastaj, përmbajtja vazhdon me citimin e një përfaqësuesi të të njëjtës parti, i cili është i ftuar në një televizion që është akuzuar disa herë se mbron politikat e kësaj partie, edhe pse fakte për këtë nuk ka, përpos disa nuancave të prioriteteve të politikës redaktuese të televizionit që mund të interpretohet se aludojnë në mbështetjen përnjëmend të kësaj partie. Dhe, sipas tekstit, këto deklarata në këtë emision kanë ngjallur panik tek anëtarët e BDI-së.

Por, autori përdor një term tjetër, duke i quajtur anëtarët – “artanët e saj”. Këtë term e mbështet në një status që ka bërë Artan Grubi lidhur me qëndrimet e shpalosura të anëtarit të apostrofuar të kryesisë së Lëvizjes Besa. Në vend që të mjaftohet me përfshirjen e palës së kundërt duke cituar këtë qëndrim, autori përdor një term jo të hijshëm, sepse fundja, janë ca njerëz që kanë votuar për atë parti. Ky është edhe një element më shumë ku shfaqet averzioni ndaj BDI-së, gjë që është e ndaluar të përfshihet në tekstin e një lajmi. Pse, mediat që kanë një lloj kredibiliteti, mendoni se janë dakort me të gjitha qëndrimet e partive politike? Absolutisht jo, por çfarë të bëjnë… Kanë vendosur të jenë media profesionale, e jo shtabe virtuale të partive politike. Dhe, kur je media, do të sillesh siç e kërkon detyra e gazetarisë. Publiku më pas vlerëson se kush është “i miri” apo “i keqi”.

Që anshmëria të kapë kulmin, teksti përmbyllet me një fjali komplet propagandistike, që flet për organet e strukturuara mirë të kësaj partie dhe numrit të madh të qytetarëve që u mblodhën në protestën e Lëvizjes Besa, duke e cilësuar si protestën më të madhe shqiptare në vend. Të gjithë këto cilësime mund të jenë në favor të kësaj partie politike, por asesi në favor të këtij portali. Përkundrazi, kjo mund të cilësohet si një vetëflijim i portalit, përkatësisht profesionalizmit të tij, vetëm e vetëm për t’i qëndruar besnik deri në fund “kauzës” të cilën e mbron ai. Gjë tërësisht e gabuar, sepse kauza e një mediumi është interesi publik, e jo interesi partiak.

 


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button