Kur lajmi përdoret si plumb për “armikun”

[Recension: LR-PDSH në prehër të paçavurës së BDI-së, Zhurnal Sërbski!]

Ka raste të shumta kur mediat bëjnë lajm vetëm me një fotografi, ku është kapur ndonjë personazh publik në një situatë të palakmueshme, apo edhe kur ndonjë gjest a veprim i tij duket i pahijshëm. Këso lloje lajmesh padyshim që sjellin klikime. Zakonisht janë të një fotoreporteri të vetëm, i cili ka ndodhur në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Mirëpo, foto-lajmet e tilla e humbin vlerën informuese për publikun, kur nuk janë të shoqëruara me fakte, por me një gjuhë jo etike, ofendime dhe qasje joprofesionale.

[Recension: LR-PDSH në prehër të paçavurës së BDI-së, Zhurnal Sërbski!]Linku për te artikulli origjinal: LR-PDSH në prehër të paçavurës së BDI-së, Zhurnal Sërbski!

Data dhe koha e publikimit: 21.05.2016

Data e recensionit: 10.10.2016

Recensues: Agron Vrangalla

Te teksti që përbën bazë për këtë recension vërehen disa persona që drekojnë bashkë. Në mesin e tyre është edhe Arben Taravari i LR-PDSH-së dhe pronari i gazetës zhurnal.mk. Duket se është një takim fare i zakonshëm në mes këtyre personave në një ambient fare të zakonshëm jo formal. Ndoshta edhe nuk është ashtu, por për të dëshmuar këtë gjë, gazetari para opinionit duhet të shpalosë fakte për pretendimet e tij. Në mungesë të tyre, kjo foto në vetvete nuk përbën asnjë lloj lajmi, ngado që ta kapësh.

Por, ja ta zëmë se nga asgjëja patjetër duhet të nxjerrim diçka. Edhe kjo është një metodë jo pak e njohur për shumë mediume anembanë botës. Dakord, në rubrikë adekuate, mund të përdoret ndonjë shaka e hollë, duke ia bërë me dije publikut se bëhet fjalë për shaka. Por kjo nuk ndodh edhe me këtë tekst.

Duke filluar që nga titulli, vërtetë që bëhet fjalë për akuza dhe fyerje shumë të rënda. Një gazetar i pjekur profesionalisht nuk do ta bënte kurrë këtë titull, qoftë edhe nëse dikush do ta porosiste duke i premtuar edhe kompensim parash apo përfitime tjera. “Zhurnali”, media që është marrë në ‘shënjestër’ këtu, pa asnjë lloj droje është cilësuar si “paçavure e BDI – së” dhe “Zhurnal Sërbski”. Pra bëhet fjalë për dy akuza, për të cilat, nëse portali në fjalë vendos të ngrejë padi në gjyq, edhe me avokat jo aq të zhdërvjelltë, do ta fitonte atë proces gjyqësor.

Duke e parë vetëm nga pikëpamja e etikës së gazetarëve, t’i thuash dikujt që punon në profesionin tënd “paçavure” e një partie politike, duhet të kesh fakte. Flasim për fakte të renditur brenda lajmit. Qoftë deklaratë nga dikush, qoftë ndonjë dokument që vërteton lidhjet e një portali me një parti politike… por kështu siç është, nuk shkon. E para, aty ka koment që apriori është shkelje profesionale në zhanre informative, plus pastaj edhe fraza fyese, ja ku e ke shkeljen e pastër etike.

Termi tjetër që përdoret gjithashtu në titull, “Zhurnal sërbski” – gjë që mund të kualifikohet si gjuhë e pastër urrejtjeje! Pra, nga njëra anë mungon verifikimi i kësaj akuze se “Zhurnali” është portal serb apo se punon për interesa të huaja, dhe e dyta, ka nuanca të qarta ksenofobike. Pavarësisht raportit historik të popullit shqiptar me atë serb, nuk duhet shfrytëzuar një moment i tillë për të shfaqur inate abstrakte. Është e pajustifikueshme. Flasim gjithmonë në prizmin e gazetarisë dhe raportimit të lajmeve.

Ndërkaq, teksti që e shoqëron këtë foto dhe këtë titull, nuk posedon asnjë lloj informacioni deskriptiv mbi foton, por thjeshtë interpreton atë që publiku e shikon duke parë vetë foton. Është cituar edhe statusi që është shkruar nga personat që kanë postuar foton në Facebook. Dhe, në fund, e di niçfarë? Asgjë. Ai status nuk ka lidhje me titullin e këtij teksti.

 

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button