Mosdije, apo manipulim për klikime me vetëdije?

[Recension: “Është arrestuar vëllai i Musa Xhaferrit”]

Një histori e tërë, e ndërtuar pa asnjë burim, mbyllet me informacione që flasin për mungesë të dijes elementare për kompetencën e Prokurorisë Speciale Publike dhe institucioneve të drejtësisë në përgjithësi, ose për shpërndarje me tendencë të një informacioni të pavërtetë, për shkak të ndikimit që çështja e shtjelluar në këtë përmbajtje e ka te publiku.

shenja-eshte-arrestuar-vellai-i-musa-xhaferrit-1Linku deri te artikulli origjinal: “Është arrestuar vëllai i Musa Xhaferrit”

Data e publikimit: 10.10.2016

Data e recensionit: 11.10.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Arrestimi i vëllait të një funksionari politik sigurisht që përbën lajm interesant për opinionin dhe për mediat, edhe atëherë kur arsyeja nuk ka të bëjë me keqpërdorim të detyrës ose funksionit publik, pushtetit ose diçka të ngjashme. Mirëpo, në rastin konkret arsyeja nuk bëhet e ditur. Mund të jetë çështje private, procedurë për kundërvajtje ose diçka e zakonshme që nuk është drejtpërsëdrejti e lidhur me interes publik. Autori bën të ditur se nuk ka më shumë informacione, megjithatë nuk thotë nëse ka pyetur në MPB, Prokurorinë ose organet tjera hetuese për rastin, e as funksionarin e apostrofuar.

“Policia e Maqedonisë ka arrestuar vëllain e Musa Xhaferit, thonë për Gazetën “Lajm”, burime të sigurta policore. Sipas këtyre burimeve, vëllai i Musa Xhaferit është arrestuar para disa viteve në Kërçovë dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Prilep. Nuk dihen cilat kanë qenë shkaqet për arrestimin e tij, mirëpo marrim vesh se është liruar menjëherë pas intervenimit të funksionarëve të lartë të BDI-së.”

KODI ETIK:

Gazetari mund të publikojë diçka për të cilën nuk ka edhe aq dëshmi, por për të cilën ka mjaft indikacione se është e vërtetë, respektivisht diçka për të cilën ekziston dyshim i bazuar. Dyshimi i bazuar nënkupton prezentimin e argumenteve që janë të arsyeshëm dhe që janë indikacion se diçka është e vërtetë, pa pasur dëshmi konkrete për vërtetësinë.

Në pjesën e dytë të tekstit ngatërrohen kompetencat e institucioneve. Prokuroria Speciale Publike është themeluar për hetimin e veprave apo krimeve që burojnë nga materialet e përgjuara ilegalisht. PSP nuk heton arrestime për raste të zakonshme, që janë në kompetencë të organeve të rregullta të hetimit. Lëndët që ajo ka marrë përsipër janë qartësisht të definuara dhe lista e tyre nuk shtohet brenda natës ose varësisht zhvillimeve ditore.

Marrim vesh se këto intervenime të bëra përmes telefonit i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale Publike (PSP) e cila duhet të hetojë nëse lirimi i vëllait të Musa Xhaferit është bë sipas procedurave ligjore, ose vetëm për shkak se ka qenë vëlla i një funksionari të lartë partiakë.

Ky institucion do të merrej me hetimin e këtij rasti ose këtij personi, vetëm nëse arrestimi është bërë si pasojë e hetimeve që vijojnë aktualisht e që janë të lidhura me materialet e përgjuara. Është manipulim me opinionin që një përmbajtje të pretendojë se PSP heton intervenimin me telefon, si arsye pse është liruar vëllai i Musa Xhaferrit, i arrestuar paraprakisht si pasojë e një hetimi dhe vendimi që nuk ka lidhje me PSP-në. E të mos flasim për titullin, i cili është bërë në atë mënyrë që nuk jep determinantë kohore për atë se kur ka ndodhur rastin, duke shtyrë publikun të mendojë se ndoshta bëhet fjalë për një rast të freskët. Një gjah i tillë për shikueshmëri dhe klikime ndoshta është i ‘zakonshëm’ për mediat rozë, por jo edhe për ato që pretendojnë ta informojnë publikun në mënyrë serioze.

Artikulli origjinal është i Lajm, por kjo nuk e amniston Tv Shenjën nga qasja joprofesionale në këtë përmbajtje.


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button