Shkëmbimi tregtar Serbi-Shqipëri, vitin e kaluar 109.8 milionë euro

Shkëmbimi i përgjithshëm tregtar mes Serbisë dhe Shqipërisë në vitin 2015 ka qenë 109.8 milionë euro. Eksporti në Shqipëri ka qenë 91.8 milionë, ndërsa importi nga Shqipëria 18 milionë euro, u tha sot në hapjen e Forumit të Biznesit Serbi-Shqipëri në Nish, raporton Anadolu Agency (AA).

Për tetë muaj të vitit 2016, shkëmbimi tregtar ka arritur në 77.8 milionë euro. Eksporti serb në Shqipëri ka qenë në vlerë prej 60.5 milionë, ndërsa importi 17.3 milionë euro.

Në forumin ku marrin pjesë rreth 300 afaristë, ndërsa të cilin e hapën kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama, kryeministri serb Vuçiç tha se është ndërtuar besimi mes dy popujve, ndërsa tani në radhë është forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimit tregtar mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Ai i porositi afaristët shqiptarë se janë të mirëseardhur në Serbi dhe se dyert e Serbisë dhe tregut serb janë të hapura. Sipas tij, serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan të cilët nuk duhet të lejojnë që marrëdhëniet dhe ardhmërinë t’ua rregullojnë të tjerët.

“Është shumë me rëndësi që të sillemi racionalisht. Pa marrë parasysh dallimet, kemi ndërtuar besim, meqë besoj se dëshirojmë miqësi”, tha Vuçiç.

Ai theksoi që Durrësi të jetë porti më i afërt i Serbisë pas ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Tiranë-Durrës. “Pas ndërtimit të kësaj rruge nga Beogradi deri në Durrës do të udhëtohet për katër orë e gjysmë”, tha Vuçiç.

Vuçiç falënderoi afaristët nga Serbia dhe Shqipëria që në numër të madh kanë ardhur në Forum dhe shtoi se edhe ai edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama janë krenarë që është plot salla ku mbahet forumi.

Kryeministri i Shqipërisë Rama deklaroi se në Shqipëri veprojnë rreth 100 subjekte afariste serbe, që punojnë në atmosferë pozitive. “Ju siguroj, nëse i pyesim sigurisht do të thonë vetëm fjalë të mira dhe se punojnë në atmosferë pozitive dhe se nuk kanë problem që janë nga Serbia”, tha Rama.

Ai vlerësoi se kapitali i investuar është shumë nën potencialin dhe shtoi se është vetëm 8.8 përqind të investimeve të huaja.

Drejtoresha e Bankës Botërore për Evropën Juglindore Elen Goldstin vlerësoi se shkëmbimi tregtar dhe integrimi më i fortë duhet të jenë shtytës të zhvillimit të vendit në Ballkanin Perëndimor.

“Vendeve të Ballkanit u nevojitet rritje e qëndrueshme ekonomike, ndërsa për këtë është e domosdoshme tregtia”, tha Goldstin dhe shtoi se tregtia është veçmas e rëndësishme për vendet e vogla me tregti të ngushtë.

Ajo theksoi se shkëmbimi tergtar edhe në Evropën Juglindore është nën potencialin dhe për këtë shkak sot kanë filluar përgatitjet për projekt të ri i cili duhet të lehtësojë shkëmbimin tregtar të këtyre gjashtë vendeve.

Në forum është nënshkruar Memorandum për themelimin e Odës Tregtare Serbo-Shqiptare, e cila do të ofrojë mbështetje logjistike të afaristëve të të dyja vendeve me seli në Tiranë.

Në forumin që mbahet në Nish marrin pjesë kompani nga sektori i industrisë ushqimore, tregtare, elektrikës dhe makinerisë, ndërtimtarisë, industrisë kimike dhe asaj të drurit, si dhe në sferën e turizmit dhe hotelierisë, telekomunikimeve e tjerë.

Forumin e organizon Oda Ekonomike e Serbisë dhe Asociacioni Afarist i Biznesit nga Shqipëria.

Ndryshe, për shkak të qëndrimit të dy kryeministrave në Nish janë forcuar masat e sigurisë. Sot, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama përfundon vizitën në Serbi, ndërsa zyrtarët qeveritarë të Serbisë qëndrojnë në Nish deri më 19 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button