Tahiri: Lista me emrat e 1860 personave të zhdukur është paraqitur në BE

Ministrja për Dialog e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri sot u takua me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur me të cilët bisedoi për çështjen e të pagjeturve dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të tyre. Në takim morën pjesë edhe Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, Sevdije Frangu dhe Sali Muhaxheri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se gjatë këtij takimi ministrja Tahiri ka vlerësuar punën e Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe angazhimin e familjarëve të këtyre personave, si dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur.

Tahiri vuri në dukje se Qeveria e Kosovës vazhdimisht kërkon nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të tregoj vendndodhjen e personave të pagjetur, sepse sipas saj është Serbia ajo që ka bërë gjenocid dhe ka bërë zhdukjen e personave në Kosovë.

Ajo gjatë takimit gjithashtu rikujtoi se në dialogun e Brukselit është diskutuar çështja e të pagjeturve në një raund të bisedimeve në vitin 2011. Sipas saj, në këto bisedime, delegacioni i Kosovës kishte paraqitur faktet dhe kërkesat për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur, si dhe ia ka dorëzuar BE-së listën e personave të pagjetur. Tahiri bëri të ditur se kjo temë e dialogut nuk vazhdoi më tej, për arsye se Serbia nuk paraqiti listën për vendndodhjen e këtyre personave të zhdukur.

Tahiri ka vënë në dukje se tema e të pagjeturve do të jetë tema kryesore për fazën e ardhshme të dialogut në Bruksel. Ajo ka shtuar se në debatin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media që u mbajt para disa ditësh, u bë një keqkuptim, ku BE-ja kishte kërkuar listat e vendndodhjes së të zhdukurve, e jo si u kuptua në debat, se ishte kërkuar lista e emrave të tyre. Ministrja për Dialog nënvizoi se kjo listë e 1860 emrave të zhdukur është paraqitur në BE.

Ndërkaq, kryetari Prenk Gjetaj, kërkoi më shumë përkrahje nga institucionet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi. Kurse Bajram Qerkini, anëtarë i Komisionit dhe përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, e kanë vënë theksin në atë se kjo çështje kërkon më shumë angazhime si nga Qeveria e Kosovës, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian.

Në fund të takimit palët u dakorduan për vazhdimin e punës së përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button