Vuçiq: Serbia do të anulojë pasojat juridike të Ligjit për Trepçën

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se qeveria do të anulojë pasojat juridike të Ligjit për Trepçën, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës, në të cilën Qeveria e Kosovës posedon 80 përqind të pronësisë të minierës, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas propozimit të drejtorit të Zyrës së Qeverisë për Kosovën, Marko Gjuriç, që ky ligj të shpallet i pavlefshëm dhe për këtë të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), Vuçiç tha se pjesën më të madhe të këtij propozimi e ka pranuar.

“Ne sot kemi marrë vendimin për anulimin e të gjitha pasojave ligjore të vendimeve dhe aktiviteteve të institucioneve të përkohshme në Prishtinë, që kanë të bëjnë me aspektin faktik dhe ligjor të Trepçës”, ka thënë Vuçiç në një konferencë për media në Beograd.

Ai tha se nuk e ka pranuar propozimin që për këtë çështje të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për shkak se nuk e dinë se çka do të fitoj Serbia nga kjo.

“Përveç që do të kthejmë të gjithë kundër nesh. Lejoni të përpiqemi të bisedojmë, të përpiqemi që ti kthejmë gjërat në normalitet”, tha Vuçiç.

Kryeministri i Serbisë gjithashtu theksoi se kanë marrë këtë vendim për shkak se qeveria dëshiron që Trepça të vazhdojë të punojë, sepse ky kombinat “është i një rëndësie jetike për mbijetesën e veriut të Kosovës dhe Metohisë”.

Vuçiç gjithashtu tha se nuk e di arsyen se pse shqiptarët miratuan Ligjin për Trepçën dhe çka mendojnë se kanë fituar.

“Nuk mund të kuptoj pse shqiptarët bënë një gjë të tillë, si dhe ata që i lejuan apo urdhëruan të bëjnë këtë. Nuk ka kurrfarë kuptimi. Ata kontrollojnë plotësisht pjesën jugore të Mitrovicës që nga viti 1999, madje edhe para shpalljes zyrtare të të ashtuquajturit shtet të pavarur të Kosovës”, tha Vuçiç.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes së telekomunikacionit, Vuçiç ka thënë se bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë.

“Serbia duhet të vazhdojë bisedimet me Evropën dhe të vazhdojë rrugën e saj evropiane. Ne jemi të gatshëm për kompromis, duhet edhe të tjerët të tregojnë se janë të gatshëm për kompromis”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës të premten më 7 tetor miratoi Ligjin për Trepçën, në të cilën 80 përqind të aksioneve i takojnë qeverisë së Kosovës, pas së cilës përfaqësuesit serbë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës vendosën të ngrijnë funksionet e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button