Veljanovski: Ta avancojmë unitetin dhe ta ruajmë shtetësinë

 Njëmbëdhjetë tetori është dita kur është korrur një nga betejat e fundit historike të popullit të Maqedonisë në rrugën drejt lirisë, tha sonte kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski në akademinë solemne, me rastin e 75 vjetorit nga Dita e Kryengritjes popullore – 11 Tetori.

Veljanovski me këtë rast bëri thirrje në avancimin e unitetit mes partive politike dhe përparimin e zhvillimit të shtetit.

“Çmimi që u pagua për lirinë është shumë i madh”, tha Veljanovski, duke theksuar se shtetësinë e fituar duhet ta ruajmë dhe t’i avancojmë gjërat në përgjithësi, por gjithçka do të jetë më vështirë nëse mungon uniteti.

“Uniteti i tillë, siç duket gjithnjë e më rëndë është i realizueshëm. Thellë të ngujuar në taboret e tyre, siç duket po harrohet se të gjitha partitë politike, në bazë, kanë një qëllim të njëjtë fisnik. Megjithatë, pavarësisht gjendjes së tillë tragjike e cila po zgjat, unë jam optimist se në fund tërë shteti do të dalë më i pasur për një përvojë, por edhe më unik”, tha Veljanovski.

Kuvendi ka qenë dhe do të jetë, tha ai, arenë ku do të këmbejmë ide në frymën e konstruktivitetit dhe mbetet institucion ku dominojnë vlerat e përbashkëta.

“Nën një kulm edhe në të ardhmen duhet të vazhdojmë të luftojmë të gjithë për një qëllim të shejtë, i cili del nga katër shkronjat e shejta VMRO. Edhe pushteti! Edhe opozita! Edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët, serbët, vllehët dhe të gjithë të tjerë”, tha Veljanovski.

Në akademinë solemne morën pjesë kryeministri për zbatimin e zgjedhjeve Emil Dimitriev, ish kryetarë të Kuvendit, deputetë të mëparshëm dhe aktualë, përfaqësues të korit diplomatik, të bashkësive fetare dhe të institucioneve tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button