Sqarim për opinionin publik

Pas sulmeve të njëpasnjëshme të 24 orëve të fundit nga portale që shërbejnë si organe partish politike e politikanësh të caktuar, pas shpifjeve të tyre se gjoja unë, Arianit Xhaferi, i jam bashkuar partisë opozitare maqedonase LSDM, lëshoj për mediat elektronike dhe audio-vizuele këtë:

  • Më datë 28 Shtator të vitit 2016, unë kam marrë pjesë në një tribinë të hapur të organizuar nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, tribinë kjo që është mbuluar në lajmet e shumë televizioneve nacionale dhe lokale në Maqedoni. Tema e kësaj tribine publike ka qenë “Cilat janë masat më urgjente që duhet të ndërmerren në gjashtëmujorin e parë të një qeverie të re”, ku për diskutim kanë qenë të ftuar 11 persona të ndryshëm, ekspertë të fushave të ndryshme si ekonomia, gjyqësori, arsimimi, etj; si dhe përfaqësues të sektorit civil ku bëj pjesë dhe vet. Tema për të cilën unë kam folur në atë tribinë ka qenë sektori në të cilin vepron organizata Eco Guerilla, me të cilën unë aktualisht udhëheq – pra MJEDISI JETESOR. Takime të ngjashme janë mbajtur më parë edhe me grupe tjera të interesit, përfshirë këtu ish-kreun dhe ministrin aktual të mjedisit.
  • Më datë 29 Shtator të vitit 2016, unë kam udhëtuar për në Stamboll (Turqi) për të shoqëruar një mik dhe bashkëpuntor në një trajtim mjekësore, nga ku jemi kthyer ditën e diel, me datë 2 Tetor 2016.

Shpifjet që janë publikuar në portalet që shërbejnë si organe partish e politikanësh e që thonë se unë kam marrë pjesë në Kongresin e LSDM-së të datës 2 Tetor 2016 janë plotësisht të pavërteta, shpifje tendencioze që më shumë se sa duan të hedhin baltë mbi mua (si individ), kanë për qëlllim të sulmojnë dhe të diskreditojnë lëvizjen qytetare Eco Guerilla e cila është e njohur për të gjithë rajonin për arritjet në sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për problemin e ndotjes. Konfliktin të cilin e kanë krijuar me mua këto portale do e zgjidhim permes organeve të drejtësisë.

Eco Guerilla është organizatë e cila ka lindur, është zhvilluar dhe vazhdon të rritet me prurje të reja, dhe mënyra e veprimit të saj do jetë akoma më agresive, sidomos në këtë periudhë kur duhet të ndërmerret vendimi për të ndëshkuar ndotësin më të madh rajonal Jugohrom, dhe kur duhet të largohet përfundimisht deponia nga qyteti.

Ky sqarim shërben për të gjithë ata që nuk na njohin nga afër e që kanë një pikë dyshimi në punën tonë dhe në performancën time personale. Aktivistët tanë të shumtë, ndjekësit e mbështetësit tanë e njohin dhe e vlerësojnë punën tonë më mire se vet ne.

Fitorja jonë në luftën kundër ndotjes do jetë e dobishme për të gjithë, edhe për organet e politikanëve dhe të partive të caktuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button