Retorikë e ashpër nacionaliste, partitë “mprehin dhëmbët” për fushatën zgjedhore

Ciklet e fundit zgjedhore në Maqedoni janë karakterizuar me retorikë të ashpër nacionaliste. Në momentet kur përbërja qeveritare dhe ajo kuvendore po i numëron ditët e fundit, foltoret e të njëjtave dhunohen nga politikanë me retorika të ashpra nacionale.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, ditë më parë kërkoi 62 deputetë për t’i mundësuar kështu VMRO-DPMNE-së që e vetme të formojë qeverinë, pa përfshirjen e shqiptarëve. Sepse, sipas tij, partitë shqiptare së bashku me LSDM duan federalizimin e Maqedonisë.

Njohësit e rrethanave politike në deklaratat e tyre për Portalb thonë se qytetarët duhet t’i identifikojnë këto tendenca qëllimkëqija, t’i dënojnë dhe të mos bien pre e provokime, sepse qëllimi i tyre është tërheqja e vëmendjes nga problemet esenciale të shoqërisë.

Aktivisti qytetar Petrit Saraçini vlerëson se Gjorçevi nuk është fillimi i kësaj strategjie, por është vazhdimësi.

“Ka kohë që po aplikohet nga partitë në pushtet. Në mungesë të ofertës, pas 10 vjet pushtet, po shihet një shkatërrim i gjithmbarshëm i shoqërisë. Strategjia e partive në pushtet do të jetë luajtja me ndjenjat fetare dhe nacionale të qytetarëve, si dhe obstruksionet ndaj proceseve juridike, që janë të lidhura me “bombat” e opozitës”, tha për Portalb Saraçini.

Sipas Saraçinit qytetarët nuk duhet të bien pre e tentimeve për defokusim nga problemet tyre elementare.

“Duhet të ruhet gjakftohtësia. Duhet të krijohen strategji për gjithëpërfshirje të qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre. Momentalisht Maqedonia gjendet para një sfide që do ta përcaktojë ardhmërinë e shtetit. Fitorja e forcave progresive që duan të punojnë në kohezion shoqërorë do të jetë ajo që do ta nxjerrë vendin nga kriza shoqërore, unë nuk e quaj krizë politike. Fitorja e forcave retrograde, të cilët e kanë kapur shtetin dhe janë në pushtet më shumë se 10 vjet paraqet rrezik për vetë ekzistimin e shtetit”, përfundoi ai.

Komunikologu Petar Arsovski thotë se cilado parti maqedonase që do të fitojë, patjetër do të hyjë në koalicion me një apo më shumë parti shqiptare, prandaj nuk presim retorikë të fortë nacionaliste.

“Mund të ketë deklarata të këtilla sporadike, por do të jenë qëndrime personale- individuale dhe mendoj që nuk do ta dominojnë fushatën parazgjedhore. Asnjë parti maqedonase nuk është aq e fortë që të mund të formojë qeverinë pa parti shqiptare. Kështu që deklaratat të ngjashme nuk do të theksohen”, potencoi Arsovski, duke shtuar se qytetarët duhet t’i dënojnë ato parti që promovojnë politikë nacionaliste./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button