Evenimenti i përkrahur nga OSBE “Ndërtojmë urat” mblodhi nxënës nga komunitete të ndryshme

Më shumë se 600 nxënës nga 27 shkolla në mbarë vendin u mblodhën për një ditë plotë me këngë, valle, shfaqje teatrale, si dhe lojëra sportive, si pjesë e evenimentit të Fondit “Ndërtojmë ura”, i organizuar nga Misioni i OSBE­-së në Shkup, transmeton MIA.

Artistët muzikor dhe anëtarët e Bordit të Fondit, Rebeka dhe Toni Zen së bashku me Fleka Bend si dhe konkurrentja e ‘X Factor­Albania’ Kanita Suma performuan para të pranishmëve.

“Dua t’ju shpreh mirënjohje gjithë arsimtarëve, prindërve, nxënësve dhe shkollave për përkushtimin e tyre për të marrë pjesë në këtë aktivitet të mësimit nëpërmjet takimit. Gjeneratat e reja ndërtojnë urat e reja ndërmjet tyre që shpijnë drejt të ardhmes së integruar në Evropën e shumëllojshme,” ka thënë Shefja e Misionit të OSBE-­së në Shkup, Ambasadorja Nina Suomalainen.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu ka shtuar, “Projekti “Ndërtojmë urat” është shembull i shkëlqyeshëm se si komuniteti ndërkombëtar në bashkëpunim të drejtpërdrejt me Ministrinë, mund të kontribuojë për progresin të qëndrueshëm në vendin tonë. Urat e shumta ndërmjet gjuhëve të ndryshme dhe komuniteteve që janë ndërtuar nëpërmjet këtij projekti, krijojnë pasuri në bazë së cilës planifikojmë të ndërtojmë të ardhme më të mirë.”

Ambasadori holandez Vuter Plomp ka thënë, “Holanda përkrah ndërtimin e urave sepse urat bëjnë lidhjen ndërmjet komuniteteve, ndërsa lidhjet ndërmjet të rinjve janë të një rëndësie të veçantë. Në këtë drejtim, theksojmë rëndësinë e Marrëveshjes kornizë të Ohrit si bazë themelore për një vend stabil.

Mezi presim të inspirohemi nga nxënësit e etnive të ndryshme, të cilët së bashku përfaqësojnë ardhmërinë e këtij vendi.” Fondi “Ndërtojmë ura”, i dizajnuar për të mirën e nxënësve, është përpjekje e përbashkët nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ambasada e Holandës, qeveria irlandeze, si dhe Misioni i OSBE-së në Shkup, i cili mbështet aktivitete të përbashkëta në shkolla ku përfshihen nxënës nga të gjitha komunitetet dhe gjuhët e ndryshme, me qëllim rritjen e ndërveprimit, mirëkuptimit dhe integrimit në mjedisin shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button