SHBA, “NYT”: Trump ka shmangur taksat për 18 vite

Një e përditshme amerikane e shtypit të shkruar ka bërë të ditur se zotëron dokumentet, që tregojnë se manjati i pasurive të paluajtshme, Donald Trump ka deklaruar një humbje prej më shumë se 900 milionë dollarësh gjatë vitit 1995, transmeton Top Channel.

“New York Times” shton gjithashtu se humbja ka qenë kaq shumë e madhe, saqë mund t’i ketë mundësuar kandidatit të tanishëm republikan për zgjedhjet presidenciale të shmangte pagimin e taksave për 18 vite rresht.

Drejtues të fushatës së tij kanë refuzuar të publikojnë deklaratat e vitit të fundit të taksave të paguara prej Trumpit, madje as nuk e kanë konfirmuar apo mohuar këtë shkallë kaq të lartë humbjesh.

Kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë është kapur me forcë ndaj mosdeklarimit të tij të taksave. Gjatë debatit të parë therës presidencial të së hënës së kaluar, ajo e detyroi atë të mbrohej për mosdeklarimin e taksave, duke sugjeruar se ai ishte duke fshehur “diçka të tmerrshme”.

Kur ish-Sekretarja e Shtetit e akuzoi atë se nuk kishte paguar tatimin federal mbi të ardhurat, Trump iu kundërpërgjigj duke thënë se “kjo gjë e bën atë të zgjuar”.

Clinton ka publikuar tatimet mbi të ardhurat për rreth 40 vite, ndërsa edhe bashkëgaruesi me Trump për t’u bërë zëvendësi i tij, Mike Pence, ka publikuar deklaratat e tij 10-vjeçare.

Dokumenti prej 3 faqesh i zotëruar nga “New York Times”, sipas Jack Mitnick, një ish-kontabilist i manjatit të pasurive të paluajtshme, emri i të cilit shfaqet në letrat përgatitore të deklarimit të taksave, është një kopje autentike e një pjese të mirë të deklarimit të vitit 1995.

Të shtunën, nga fushata e Trumpit kanë akuzuar “New York Times” se po bëhet një “zgjatim” i fushatës së Clintonit.

“Trump, – kanë shtuar më tej drejtues të fushatës, – ka qenë një biznesmen me aftësi të jashtëzakonshme, i cili ka edhe përgjegjësi të plotë mbi bizneset e tij, familjen e tij dhe punonjësit e tij, të cilëve u kërkon të paguajnë aspak më shumë taksa nga sa kërkohen ligjërisht”.

Që prej vitit 1976, të gjithë kandidatët presidencialë në Shtetet e Bashkuara (ata të dy partive kryesore) kanë publikuar tatimfitimin e paguar ndër vite, një veprim jo i detyrueshëm ligjërisht, por nga ana morale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button