Obama: Nuk e përdor termin “terrorizmi islam” sepse është trillim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama deklaroi se organizatat terroriste si DAESH dhe Al-Kaeda manipulojnë me Islamin për qëllimet dhe interesat e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Obama ishte i ftuar në programin e CNN, ku foli për politikën e jashtme amerikane dhe prioritetet e sigurisë së vendit të tij.

Duke folur për krizën në Siri, Obama theksoi se prioritet i SHBA-ve për këtë është siguria e trupave amerikane.

“Kudo në botë, ndodhin gjëra të këqija. Gjatë vlerësimit ne duhet të shohim nëse dërgimi i trupave amerikane në atë rajon do të na sjellë rezultate të mira. Të gjitha palët në Siri kanë bindje të thellë, se në rast se nuk dërgojmë një numër të madh të ushtarëve tanë atje, nuk shohin ndonjë skenarë për ndalimin e luftës civile”, ka thënë Obama.

Ai theksoi se nuk ka mundësi të ketë zgjidhje ushtarake dhe se opsioni më i mirë i situatës në Siri është zgjidhja diplomatike.

“Në shumë vende të botës do të ketë sfida të sigurisë që nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejt ndaj nesh. Në këtë rast ne duhet të ndihmojmë (vendet mike), por përgjigjja jonë ndaj kësaj nuk nënkupton dërgimin e një numri të madh të trupave”, tha Obama.

Presidenti amerikan theksoi se ndjek kritikat në llogari të SHBA-ve, se në kohën e duhur nuk ka ofruar mbështetje të mjaftueshme për opozitën e moderuar në Siri, për të cilën tha se problemi qëndron në faktin se Rusia dhe Irani mbështesin regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad.

“Çdo ndërhyrje e jona, në kohën që ndaj nesh nuk ka kërcënime të drejtpërdrejta, do të duket si shkelje e ligjit ndërkombëtar apo pushtim. Një situatë e tillë në të cilën janë përfshirë Rusia dhe Irani, nuk mund të vazhdojë”, ka thënë Obama.

Në pyetjen se përse kurrë nuk përdor termin “terrorizmi islamik”, presidenti amerikan tha se nuk përdor këtë term sepse është “trillim”.

“Organizatat terroriste si DAESH-i dhe Al-Kaeda manipulojnë me Islamin për qëllimet dhe interesat e tyre. Këta janë njerëz që vrasin fëmijë dhe muslimanë, ndërsa gratë i përdorin si skllave seksuale. Asnjë fe nuk mund të jetë arsye për të legjitimuar atë që ata bëjnë”, tha presidenti Obama, dhe theksoi se organizatat terroriste si DAESH-i, që flasin në emër të Islamit, nuk përfaqësojnë muslimanët.

Në lidhje me refuzimin e vetos ndaj ligjit që lejon familjet e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001 të padisin Arabinë Saudite, Obama ka thënë se miratimi i një ligji të tillë do të ishte “gabim”. Ai shtoi se administratën e Arabisë Saudite nuk e konsiderojnë si “sponsor të terrorizmit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button