Të gjithë bëjnë anketa, por i fshehin rejtingjet

Më pak se tre muaj para zgjedhjeve parlamentare, në publik nuk ka asnjë anketë që do ta tregonte rejtingun e partive politike. Kodi Zgjedhor parashikon se sondazhet e opinionit publik për rezultatet e zgjedhjeve mund të publikohen jo më vonë se pesë ditë para zgjedhjeve, shkruan META, transmeton Portalb.

Analistët dhe hulumtuesit pajtohen se partitë politike vazhdimisht bëjnë anketa për rejtingun, por nuk i publikojnë, i përdorin ato për nevojë interne.

Analisti Petar Arsovski tha se kjo periudhë parazgjedhore do të jetë më e ndryshme nga zgjedhjet e mëparshme dhe se ai do të fillojë më vonë se zakonisht.

“Mendoj se kjo periudhë para-zgjedhore do të fillojë shumë më vonë se zgjedhjet e kaluara që i kemi pasur. Anketa publike nuk ka, por partitë porosisin hulumtim të rejtingut vetëm për përdorim të brendshëm. Por, nuk mungojnë vetëm sondazhet në opinionin publik, partitë nuk janë as në teren, sërish, janë aktivizuar organizatat komunale. Kjo për shkak të faktit që partitë mendojnë se këto zgjedhje nuk do ta zgjidhin krizën” – tha Arsovski.

Vladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup (IPIS) tha se punojnë në sondazh para-zgjedhor, i cili me gjasë do të publikohet në tetor.

“Ende është herët për sondazhet para-zgjedhore dhe vlerësimet e partive. Ne do ta publikojmë një anketë, me gjasë në tetor, kurse do të shohim nëse do të kemi fonde për dy anketa para zgjedhjeve. Në qoftë se do të kemi, do ta shpallim një tjetër, me gjasë në nëntor” – tha Vladimir Bozhinovski.

Sondazhe para zgjedhjeve do të ketë, partitë urdhërojnë edhe tani, por i përdorin për përdorim të tyre partiak  dhe strategjinë e partisë, tha Bashkim Bakiu nga Instituti për krijimin e politikave dhe qeverisje të mirë.

“Anketat e fundit të bëra që i publikuam ishin para verës. Momentalisht bëjmë anketa mbi tema të ndryshme dhe ato do të publikohen në periudhën e ardhshme. Instituti ynë zakonisht bën anketa juridike dhe pastaj ua shet partive. Deri tani nuk kemi urdhër nga partitë politike për anketë që e masin rejtingun e tyre, por jam i bindur se në periudhën e ardhshme, para zgjedhjeve, do të ketë. Zakonisht anketat që i urdhërojnë partitë pastaj i përdorin për nevoja të brendshme, kurse nuk i publikojnë”-shtoi Bakiu.

Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), i cili bën disa sondazhe të opinionit publik gjatë gjithë vitit për çështje të ndryshme, nuk ka njoftime  për anketa para-zgjedhore me rejtingun e partive politike në Maqedoni.

“Deri tani nuk kemi në plan anketë që do ta publikonim para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat janë të caktuara për 11 dhjetor” – tha Ilina Mangova, përfaqësues e IRI-t në Maqedoni.

Sipas sondazhit të fundit të IRI-t, i cili u botua më 9 qershor, 27 përqind e të anketuarve treguan se do të votonin për VMRO-DPMNE-në, 18 për qind për LSDM-në, 23 ishin pa përgjigje, për BDI zgjodhën 6 për qind, për PDSH-në 3 për qind dhe 9 për qind e të anketuarve nuk u përgjigjën fare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button