Kolumbi, marrëveshje historike që pas 52 vitesh i jep fund luftës civile

Nënshkruhet marrëveshja që i jep fund pas 52 vitesh luftës civile në mes të qeverisë së Kolumbisë dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë që u realizua me pjesëmarrjen e zyrtarëve nga 15 shtete në qytetin Cartagena, marrëveshjen e nënshkruan presidenti i shtetit Juan Manuel Santos dhe Gjenerali Rodrigo Londono Echeverri në emër të FARC-ut.

Santos, në fjalën e tij para nënshkrimit, tha se prej 52 vitesh qytetarët e të njëjtit shtet kanë vrarë njëri-tjetrin, për të shtuar më tej se “Haptazi dhe me zë të lartë themi se më nuk duam luftë”.

Ndërkaq, lideri i FARC-ut që njihet me emrin “Timoshenko”, Timoleon Jimenez, kërkoi falje në emër të FARC-ut.

“Kërkoj falje për të gjitha dhimbjet e përjetuara në luftë. Marrëveshja e paqes është fitore e popullit të Kolumbisë dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha lideri i FARC-ut.

– Liderët ishin dëshmitarë të një ceremonie historike

Marrëveshja u nënshkrua me një stilolaps në formë të plumbit. Në këtë mënyrë, u dha mesazhi se plumbat duhet shndërruar në stilolapsa.

Në mesin e pjesëmarrësve në ceremoni ishin edhe lideri i Kubës, Raul Castro, Sekretari i Përgjitshëm i OKB-së Ban Ki-mun, mbreti i Spanjës Juan Carlos dhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Marrëveshja fitoi mbështetje të madhe në vend, megjithatë, ish-presidenti i Kolumbisë Alvaro Uribe organizoi një protestë me dy mijë persona para ndërtesës ku u mbajt ceremonia.

Sipas marrëveshjes së arritur, FARC do të çarmatoset dhe do të sigurojë përshtatje me sistemin politik të vendit.

Nryshe, bisedimet mes qeverisë dhe FARC-ut filluan në nëntor të vitit 2012 në kryeqytetin e Kubës, Havana.

Palët të cilët kishin rënë në ujdi për dëmshpërblimin për të dëmtuarit nga lufta, të drejtat e të dëmtuarve, të drejtat e pronës së tokës, pjesëmarrjen e rebelëve në politikë dhe luftën kundër trafikimit me lëndë narkotike, më 25 gusht nënshkruan marrëveshje dhe ‘de fakto’ i dhanë fund konfliktit që zgjati 52 vite.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button