Bombardimi i autokolonës, britaniku Johnson: Rusia mund të ketë kryer krim lufte në Siri

Sipas Sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, Rusia mund të ketë kryer krim lufte, nëse qëndron ajo pas sulmit ndaj autokolonës me ndihma të OKB-së në Siri. Johnson i tha BBC-së se duhet pyetur, nëse forcat ruse i kanë shënjestruar civilët qëllimisht, transmeton TCH.

18 kamionë dhe një depo u shkatërruan nga sulmi i së hënës, ku humbën jetën 20 vetë. Rusia mohoi çdo përgjegjësi, duke ua faturuar sulmin opozitarëve apo edhe ndonjë “drone”-i amerikan. Shtetet e Bashkuara reaguan pas ngjarjes, duke thënë se në goditjen e autokolonës ishin përfshirë dy avionë rusë.

Kryediplomatik britanik shkon edhe më tej me pretendimet se, karvani i ndihmave mund të jetë shënjestruar qëllimisht. Vladimir Putin, jo vetëm ia dorëzon revolverin Bashar al-Assadit, – u shpreh Johnson, – por në disa raste e shkrep këmbëzën vet.

“Duhet të verifikojmë nëse ka pasur apo jo goditje të qëllimtë, edhe pse dihej fare mirë se cilët ishin civilët e pafajshëm në shënjestër. Ky është krim lufte”, tha Boris Johnson, ministër i Jashtëm i Britanisë.

Sulmi detyroi Kombet e Bashkuara të pezullonin shpërndarjen e ndihmave në Siri. Bombardimi i zonave të kontrolluara nga rebelët në Aleppo ka vazhduar përgjatë të gjithë javës, pas përfundimit të armëpushimit, duke e detyruar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon të shprehet i tmerruar nga “përshkallëzimi i skajshëm” i situatës në këtë qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button