Kuvendi, nga tempull i demokracisë në makineri votuese

Tempull i demokracisë apo makineri votuese? Është kjo dilemë shekspiriane për punën e Kuvendit të Maqedonisë. Deputetët janë të ndarë në këtë çështje, ndërsa partitë opozitare jashtëparlamentare janë unik në qëndrimin se Kuvendi është makineri votuesish, të deleguar nga kreu i partisë dhe jo nga interesi i qytetarëve, për çka dhe janë të obliguar.

Lexo: Maqedoni, shtet i “procedurës së shkurtuar” ligjore

Nënkryetari i LR-PDSH-së, Agon Ferati thotë se në vendet demokratike Ligjet nuk kontrabandohen, por sillen për të rregulluar dhe përmirësuar jetën e qytetarit. Sipas tij, në Maqedoni ndodh e kundërta, Ligjet sillen vetëm për të kufizuar dhe vështirësuar jetën e qytetarit.

“Për shkak se ne nuk jemi “as shtet, as demokratik”, 90% e Ligjeve në Kuvend sillen me procedurë të shkurtuar, pa debat dhe pa konsultim të ekspertëve. Në vend të debatit dhe ekspertëve, konsultohet shtabi i një partie politike që ka privatizuar institucionet dhe aparatin shtetëror. Më e dhimbshme në këtë situatë është që kjo mënyrë qeverisjeje ka arritur të privatizoj edhe klasën politike shqiptare, ajo që duhej të ishte elita shoqërore që do të mbronte interesat e gjëra, prandaj nuk kemi reagime më të zjarrta në Kuvend kur sillen ligje të dëmshme, kur varfërohen qytetarët, kur nuk vendosen filtra dhe helmohen 300.000 banorë të Pollogut, kur vdesin pacientët nëpër korridoret e spitaleve, kur Ministri i Shëndetësisë cënon rekomandimet e mjekëve dhe vendosën për sasinë e insulinit që ju duhet diabetikëve etj”, tha për Portalb Ferati.

Një nga faktorët kryesorë që sollën Maqedoninë në këtë krizë politike është edhe puna e Kuvendit. Vlerëson kështu zëdhënësi i Lëvizjes Besa Faton Fazliu.

“Se kujt i ka shërbyer ky Kuvend, për këtë më së miri flet gjendja politike në vend. Në mungesë të një opozite konstruktive, shumica parlamentare VMRO-BDI vazhdon të abuzojë me Kuvendin njësoj si hajduti që ka mbi shpinë një thes të vjedhur dhe mundohet që sa më shpejt të fshihet diku derisa nuk e kanë kapur. Për fat të keq, në vend që Kuvendi të jetë arenë debatesh dhe argumentimesh, është bërë teatër ku sustat PËR janë shtypur dhe janë lënë të tilla për çfarëdo propozimi që vjen nga Qeveria. Në këtë mënyrë jam thellë i bindur se shumica e deputetëve as që e dinë se çfarë kanë votuar. Dhe, këtë joseriozitet tashmë po e ndjejmë dhe jam shumë i bindur se do të vazhdojmë ta vuajmë edhe në të ardhmen. Ne e kuptojmë se atyre u ngutet, sepse e dinë se pas 11 dhjetorit nuk do të jenë shumicë dhe kjo i detyron që ndërtojnë mekanizma për ta shpëtuar veten pas asaj date, por ky është një mashtrim, sepse në kohën që do të jemi pjesë e shumicës së ardhshme, do të iniciojmë revidimin e të gjitha ligjeve që janë miratuar me procedurë të përshpejtuar, ndërsa zotohemi se – duke qenë pjesë e shumicës së ardhshme parlamentare – procedurat e këtilla për ligje të rëndësishme do të jenë një e kaluar e hidhur për kuvendin republican”, deklaroi për Portalb Fazliu.

Për Vesel Memedin, kreun e Rilindjes Demokratike Kombëtare, Kuvendi i Maqedonisë është shndërruar në makineri votimi ku disa herë janë sjellë edhe me qindra ligje brenda një seance të vetme.

“Procedura e shkurtuar apo ngutja e Kuvendit në sjelljen e ligjeve ka qenë për dy arsye: E para, duke tentuar të jenë më evropian se vet evropianët, Kuvendi në mënyrë artificiale ka sjellë ligje me procedurë të shkurtuar, që artificialisht të tregohemi se jemi gati për Evropë. E dyta, mungesa e opozitës në Kuvend, ka detyruar pozitën që të ngutet të shfrytëzoj këtë zbrazëtirë të sjellë ligje të ngutshme dhe pa kurrfarë debati. Kjo situatë jo vetëm që ka sjellë ligje artificiale me dobësi të jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë e ka shndërruar pozitën në një partner mjaft arrogant kundrejt opozitës, kurdo që krijohet hapësirë për debat konstruktiv në Kuvend. Ngutshmëria e Kuvendit ka shkaktuar pasoja të rënda në qasjen e pozitës ndaj debatit kritik në përgjithësi, që me automatizëm ka shkaktuar pasoja edhe te popullata e rëndomtë”, është shprehur për Portalb Memedi duke porositur se kjo qasje duhet të përfundoj sa më shpejtë, sa nuk është vonë, se përndryshe pasojat do të jenë kolosale.

Faton Aliti nga PPD konstaton se në Maqedoni këto vite janë ndryshuar dhe plotësuar ligjet përkatëse vetëm për ta mbuluar kriminalitetin dhe për të përmbushur interesat e oligarkëve. Si shembull, Aliti, përmend: Ligjin mbi tokën ndërtimore, ligjin për planifikim hapësinorë, ligjin për borxhin e jashtëm, ligjin për nëpunësit administrativ, ligjin për arsimin sipërorë, ligjin për zonat industrial, etj.

“Madje po të analizoni aktet nënligjore që janë kompetencë e ministrave . p.sh në dikasterin për transport dhe lidhje apo në atë të punës dhe politikës sociale, në dikasterin e shoqërisë informatike dhe të administratës do të shihni se shumë gjëra janë ndryshuar dhe hartuar sipas interesave të establishmenteve të partive në pushtet, zatën ishin gjëra edhe të dëgjuara në të ashtuquajturat “bombat” e opozitës”, theksoi për Portalb Aliti.

“Me një fjalë PPD-ja vlerëson në Maqedoni në vazhdimësi synim ka qenë që hajnitë të ligjësohen. Dhe, se poashtu në vazhdimësi ekzekutivi kontrollon dhe dirigjon të zgjedhurit e popullit në vend që të jetë e kundërta”, përfundoi Aliti.

Muhamed Ismaili, sekretar i përgjithshëm i partisë Uniteti vlerëson se, tempulli i demokracisë, Kuvendi republikan është shndërruar në makineri votuese dhe në vend se të sjellë ligje kualitative që do të përmirësonin jetën e qytetarëve, aty vite me radhe po zbatohen vetëm projekte të partisë maqedonase në pushtet.

“Pas ndryshimit të Rregullores së Kuvendit, debati nga seancat plenare është zhvendosur në Komisione dhe pjesa më e madhe e deputetëve, posaçërisht e deputetëve shqiptar, as nuk i lexojnë propozim ligjet para se t’i votojnë të njëjtat”, potencoi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button