E vërteta e hidhur e skenës politike në Maqedoni!

Miq të dashur,

E vërteta e hidhur e skenës politike të Maqedonisë, e me të edhe e shoqërisë sonë në përgjithësi, është se po të ishin këta politikanë e zyrtarë të lartë duke vepruar në ndonjë vend vërtet demokratik ku sundon ligji, ndërsa në politikë vlerësohen lart edhe etika e morali – për hir të argumentit po i përmendi si shembull: Gjermaninë, Zvicrën dhe SHBA-në, si shtete që të njëjtët politikanë vazhdimisht i marrin për model në deklaratat e tyre publike – gjasat e tyre për të mbetur në politikë do të uleshin në ZERO në momentin kur drejtësia do t’i identifikojë si të DYSHUAR dhe të nisë procedurat kundër tyre.

Por, ja që në Maqedoni kemi një standard krejt tjetër, ani pse liderët tanë politikë vazhdimisht flasin se do ta çojnë Maqedoninë në Evropë. Demagogji ordinere !

* * *

Arsyetimi më i shpeshtë që përdoret kur një politikan përballet me drejtësinë, por mbetet në pozitë apo edhe kandidon për t’u zgjedhur në pushtet : secili është i pafajshëm derisa gjykata të mos e vërtetojë fajësinë !

Por, përdorimi i këtij parimi themelor i së drejtës në rastin e Maqedonisë është shtrembërim i skajshëm i drejtësisë, manipulim dhe keqpërdorim i saj. Sepse, parimi i pafajësisë derisa gjykata të mos e vërtetojë fajësinë është vendosur si instrument për të mundësuar gjyqin e drejtë për secilin, ashtu që barra e dëshmimit të jetë mbi akuzuesin dhe jo të akuzuarin, ndërsa në Maqedoni kjo përdoret si mjet për ta mbajtur një të akuzuar në pushtet.

Kështu, Maqedonia shndërrohet në një vend ku pothuaj secila degë e pushtetit dhe e politikës, prej Kuvendit e Qeverisë, deri tek institucionet dhe agjencitë e ndryshme të shtetit dhe partitë politike, është e mbushur me njerëz që dyshohen, gjykohen apo janë të dënuar për vepra penale.

Po e përsëris për ata që mund t’u ketë shpëtuar: edhe politikanët e dënuar për vepra penale tani thirren në pafajësinë !!!

* * *

Në rrethana të tilla, kur asnjë institucion, asnjë parti dhe asnjë lider nuk ka guximin të dalë në krahun e drejtësisë në rastet kur bashkëpartiakët e tyre janë të akuzuar, Maqedonia nuk mund të presë progres në sundimin e ligjit, që është baza themelore e një shteti funksional e demokratik. Apo ndoshta e vërteta është edhe më e tmerrshme: janë liderët dhe partitë, që kanë në dorë edhe institucionet, ato që e kanë kriminalizuar sistemin qëllimshëm, duke e shndërruar Maqedoninë në një vend, të cilin, siç e pati shpjeguar një politikan i një shteti mik, jo shumë kohë më parë, “e mjelin sikur lopën”.

Andaj, derisa krerët dhe eksponentët kryesorë të shumicës së partive mbajnë pozitat qeverisëse apo partiake edhe kur janë nën presionin e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, Maqedonia vështirë se do të mund të ndërtojë një alternativë të qëndrueshme që do të na shpinte përpara. Qytetarëve ,si zakonisht, u mbetet t’i vuajnë pasojat!

* * *

Nuk është problemi vetëm tek politika. Sigurisht, pjesën e vet të përgjegjësisë e ka edhe sistemi i drejtësisë, i cili brenda vetes vuan nga korrupsioni endemik, ndërsa jashtë nga nënshtrimi përballë presionit dhe kontrollit politik, ka pjesën e vet të përgjegjësisë.

Gjykatësit dhe prokurorët, por edhe organet e hetuesisë, po dështojnë në ndërtimin e një shteti ku ligji i trajton të gjithë njësoj. Janë gjëra që duhet ndryshuar thelbësisht, por këtë mund ta bëjnë qytetarët me verdiktin e tyre madje duke kontrolluar dhe reaguar ndaj pushtetit në vazhdimësi .

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button