Lamtumira e një vere të trishtë

Është e njohur si stina më e buzëqeshur, stina që shton peshën e ëndërrave dhe dashurisë, stina që vizullon me ngrohtësinë e ngjyrave dhe shëtitjeve. Stina që sjell freskinë shpirtërore duke organizuar udhëtime e turne nëpër botë. Duke argumentuar ndodhitë e këtyre muajve, për shumë kënd kjo verë nuk ishte sikur ato tjera që vinin e perëndonin me kujtime të bukura. Kjo verë ishte e kobshme, ishte gëlltitëse, shfarosëse…e si mund ta quaj ndryshe kur çdo mëngjes tek sa hapja informatorin e lajmeve lexoja ngjarje të dhimbshme. Se si të parat lajme që më dilnin para syve ishin ato që më jepnin trishtimin teksa i lexoja: u godit Almiri për vdekje, u mbyt një i ri në liqenin e Ohrit, u var një fëmijë në Kumanovë, u vra një tjetër me motocikletë, u aksidentuan për vdekje tre të rinj nga Gostivari… humbi jetën një tjetër këtu, u qëllua me armë një tjetër aty…
 

Duke lajthitur mbi muzgun e kësaj vere qëndroj pëballë itinerarit të trishtimeve në vendit tim dhe tokave gjakëqëndisura që hangrën qindra viktima të pafajshme. Këto toka të përgjakura ishin Franca, Gjermania, Turqia, Italia madje edhe ato toka të botës më të skajshme të Sirisë, Irakut e gjetiu.
 

Të zgjohesh në agun e një dite të bukur verore dhe të hapësh celularin, ku papritmas të shfaqet terrori makabër i kamionistit në Francë i cili aq pamëshirshëm godet njerëzit nuk ka më se si të të prishet dita për të mos e ndjerë fare qetësinë shpirtërore dhe shijen e ditëve të ngrohta. Por, nuk kalojnë shumë kohë ku në muzgun e një dite tjetër verore informatori të sjell sërish lajmin e një tragjedie në Gjermani, një i ri vret dhjtëra njerëz në një qendër tregtare. Akoma më e dhimbshme ishin tre bashkëkombas të mi në mesin e viktimave. Tri lule që sapo kishin filluar të lëshonin aromë mbi jetën e tyre. Fatkeqësisht ata u shuan dhe aromën e tyre e magjepsi toka… Po një tjetër lajm, një tjetër frikë erdhi përsëri nga mjeti që lajmëron ndodhitë e botës, kësaj rradhe një njeri me sëpatë godet njerëzit në tren, vallë më bëri të mendojë se edhe në këtë kohë paska njerëz gjakatarë e mizorë që jetojnë me shpirt nepërke.
 

E pra, është kjo stina e verës ku njerëzit planifikojnë pushime, thurrin ëndërra lumturie, përgatiten për udhëtime, por tek sa i thurr të gjitha këto papritmas dëgjon se një kamikazë godet aeroportin e Stambollit, një ditë më vonë dëgjon që është sulmuar Turqia, është goditur grushtshteti. Sa shumë frikë, sa shumë terror mbi njerëz e mbi tokë.
 

Fatkeqësisht, këto sulme të njëpasnjëshme tregojnë se sinteza e integrimit shoqëror është aq brutale sa që nuk mund të flitet për zhdukje të paragjykimeve racore, fetare e kulturore. Përkundrazi ato vazhdojnë të barten edhe në mesin e të rinjëve. Fronti militant i të ashtuqjtuarave “organizata fetare” dhe emigrantëve të diskriminuar po e kërcënon dukshëm shoqërinë duke mbjellë frikë tek njerëz për t`i privuar ato nga liria e lëvizjes.
 

Mirëpo jo vetëm kaq, kësaj vere jo vetëm toka, por edhe shiu u tregua aq i pashpirt sa në vendin tim ua këputi njerëzve shpresat në mes. Spiralet e rrufesë dhe vërshimet liqenore që trishtueshëm u futën në kasollet e banimit dhe gëlltitën njerëz që rinin nën kulmin e tyre. Aq më vajtuese është fakti se ky rrëmbim ujor gëlltiti edhe fëmijë të cilët sapo kishin hedhur hapat e parë në jetë, ata nuk kishin forcë që t`i rezistonin ujit i cili rrëmbyeshëm iu mori jetën.
 

…Por këtë verë toka përsëri nuk u ngop së ngrëni njerëz. Nuk u ngop nga ujitja me gjakun njerëzor. Tërmeti në Itali është dëshmia më rrënqethëse që pas gjithë atyre lajmeve të kobshme ta dëgjojmë edhe këtë. Me qindra viktima nën rrënoja e gërmadha, sa e sa qindra të tjerë të plagosur e të sakatuar. E dhimbshme, vërtetë!
 

…Tani rrezet e kësaj vere ikën, ikën bashkë me ato fëmijë të vrarë, ikën e perënduan me pafajësinë e tyre drejt botës së amshuar. Petalet e muzgut u mbyllën bashkë me ëndërrat e atyre viktimave që u varosën në tokat e përgjakuara. Dhe ne mbetet vetëm të shpresojmë e të urojmë mos ardhtë kurr më një verë e tillë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button