“Duhet mbajtur një qëndrim më i ashpër ndaj Rusisë dhe Iranit”

Senatorët republikanë në Kongresin Amerikan janë përgatitur t’i dërgojnë qeverisë Obama një letër për mbajtjen e një qëndrimi më të ashpër ndaj qeverisë së Teheranit dhe Rusisë e cila përdori Iranin për të goditur në muajin gusht opozitarët në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Letra e nënshkruar nga të paktën 30 senatorë të rëndësishëm republikanë planifikohet ti dërgohet Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Senatorët të cilët mbrojnë idenë se përdorimi i bazës Hamadan të Iranit nga Rusia për të qëlluar opozitarët në vend të DAESH-it vjen në kuptimin e shkeljes së marrëveshjes për programin bërthamor të arritur vitin e kaluar me qeverinë e Teheranit, ata do të kërkojnë prova nëse Rusia e cila ka miratuar marrëveshjen e sulmeve ajrore i ka kryer këto në përputhje me vendimin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

Sipas lajmeve në median amerikane, mësohet se në letrën e nënshkruar nga senatorët do të theksohet se “pavarësisht se kanë ndaluar sulmet ajrore që Rusia ka ndërmarrë nga një bazë ajrore në Iran, nuk ka asnjë arsye që ne të besojmë se Rusia e cila më parë ka përdorur territorin e Iranit për sulme në Siri nuk do ti vazhdojë këto sepse nuk kanë patur rezultate gjatë operacioneve.”

Senatori republikan, John Barrasso, që është edhe një ndër organizatorët për shkrimin e letrës ka mbrojtur idenë se veprimi i Rusisë krahas shkeljes së marrëveshjes për programin bërthamor nënkupton edhe shkeljen e vendimit që përfshin sanksionet e OKB-së ndaj Iranit.

Barrasso ka vënë në dukje se nuk ka një miratim të KS-OKB-së që avionët luftarakë rusë të godasin opozitarët në Siri duke u ngritur nga baza ajrore Hamadan. Ai ka pretenduar më tej se kjo është në kundërshtim me dispozitat që ndalojnë “sigurimin, shitjen apo transferimin e armëve që do të jenë në përdorim apo në interes të Iranit”.

“Rusët nuk kanë marrë miratim. Edhe Irani nuk ka marrë miratim. Për mendimin tim kjo nënkupton se që të dy vendet kanë kryer shkelje”, ka vlerësuar Barrasso, duke vënë në dukje se në letër kanë vënë theksin mbi këto gjëra.

Ndër të tjera në letrën e senatorëve amerikanë theksohet se qeveria Obama nuk ka treguar përpjekje të mjaftueshme për të zbatuar embargon si dhe thuhet se “Këto sulme ajrore të kryera nga Irani (nga baza në Iran) nëse shkelin vendimet e KS-OKB-së të cilat kanë detyrim ligjorë atëherë kjo çështje duhet të qartësohet dhe duhet të bëhet ajo që është e nevojshme.”

Gjithashtu në letër thuhet se “Interesat tona dëmtohen teksa operacionet e Moskës përparojnë në mënyrë të suksesshme në Siri për interes të Rusisë.”

Ndërsa Rusia argumenton të kundërtën e pretendimeve të senatorëve amerikanë, ku zyrtarët rusë theksojnë se vendi i tyre nuk ka shkelur embargon e armëve sepse Rusia nuk i ka dorëzuar avionët luftarakë Iranit.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, pati deklaruar se për përdorimin e bazës Hamadan është marrë pëlqimi i Iranit, si dhe sulmet ajrore janë miratuar nga regjimi në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button