Rusi, mbahen zgjedhjet parlamentare. Fushata, pa zërat kritikë kundër Putinit

Rusët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare të vendit, të cilat pritet të dominohen nga mbështetësit e presidentit Vlrimir Putin, transmeton Top Channel.

Zonat e largëta lindore ishin të parat që votuan në një vend që, për shkak të shtrirjes së madhe gjeografike ka 11 zona kohore.

Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2011 u pasuan nga protesta masive, pasi u zbuluan vjedhje të votave. Për herë të parë këtë vit, Rusia po mban zgjedhje edhe në Krime, gadishull të cilin e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014, një lëvizje e dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Votuesit rusë do të zgjedhin 450 anëtarët e Dumës, apo Dhomës së Ulët, për 5 vitet e ardhshme.

Parlamenti në largim ka vetëm një grusht deputetësh kundërshtarë të presidentit Putin. Pavarësisht problemeve ekonomike dhe tensionit me Perëndimin për konfliktet në Ukrainë dhe Siri, ekspertët thonë se fushata zgjedhore në vend ishte më e mërzitshmja që mbahet mend.

Apatia e madhe e njerëzve gjatë fushatës sugjeron se pjesëmarrja në votime mund të jetë e ulët. Disa kundërshtarë të Putinit mundën të që flasin publikisht në televizone apo mitingje, por figura të rëndësishme që tërheqin vërtet turma, si Alexei Navalny, nuk u lejuan që të bënin fushatë.

Sondazhet e para priten të dielën në mbrëmje, megjithëse shumë pak njerëz kanë dyshime për rezultatin e zgjedhjeve. Ndërkohë, Ukraina ka shprehur kundërshtimin e saj të ashpër për mbajtjen e zgjedhjeve në Krime, duke e cilësuar këtë si një tjetër shkelje të rëndë nga Moska.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov tha se Rusia nuk diskuton me vende të tjera procesin elektoral në territorin e saj, duke lënë të kuptohet se votimi në Krime do të vazhdojë dhe se Ukraina nuk ka ç’të bëjë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button