Zotin në shërbim të djallit

Një prift human kishte mbledhur një grumbull parash për të ndihmuar një grua në moshë dhe të rraskapitur, e cila përveç halleve të saja, ishte dashur të kujdesej edhe për nipërit e saj binjakë të cilëve nëna iu kishte vdekur menjëherë pas lindjes. Djali i saj, përkatësisht babai i tyre i kishte braktisur dhe bënte një jetë tjetër. Prifti paratë i kishte vënë në një zarf, ku e kishte shkruar emrin gruas së moshuar dhe planifikonte që të nesërmen t’ia dërgoj. Por, atë mbrëmje në dhomën e tij, një hajn me dhunë ia kishte marrë të gjitha paratë. “Mos ore bir” –  i kishte thënë prifti – “se Zoti është i madh”. “Kurse xhepi im akoma më i madh”-  me cinizëm ia kishte kthyer hajni. Gjatë rrugës hajni numëroi paratë, por u shtang kur lexoi se për kë ishin ata para!!! Zemra filloi t’i ngushtohej, ndjeu një shtrëngim të fortë në gjoks dhe lotët filluan t’i rrjedhin rrëke. Ato para ishin për nënën dhe fëmijët e tij që i kishte braktisur. Filloi të vajtoj me dënesë, të ulërijë, t’i bie kokës grushte dhe t’i shkulë flokët. “O Perëndi – tha me vete – merrma shpirtin dhe ma hidh në ferr. Shumë mëkate kamë bërë”. I tronditur u kthye te prifti dhe me lot në sy ia ktheu – “ja armën, më vrit”! Ti sapo e vrave djallin ia ktheu prifti. Thash se “Zoti është i madh”!

Por, për ne kokëboshët asgjë nuk është e madhe, madje as Perëndia. Kemi përkrahur dhe kemi bërë më të keqen. Kemi përmbajtur ata që vodhën – nënat tona, fëmijët tanë, nipërit, miqtë, familjarët dhe të gjithë popullin e ngratë. Me vite të tëra bëmë mëkate piramidale. Ata në majë për miliarda, kurse këta poshtë për një pagë mizore, ose ndonjë punësim, asistencë sociale, madje edhe për një thes miell. Shitën shpirtrat e imta për gjëra të imta, e me pasoja të mëdha.

Për vjedhjet e tyre, heshtën por edhe morën pjesë edhe prijës fetarë, të cilët pas xhameve të zinj humbën faqen e bardhë. Me vite të tëra Perëndinë e shndërruan në gjeth fiku për të mbuluar krimet e pushtetit. Ditën luteshin për Perëndinë, e natën flinin me djallin. Tani me tone të shkrijmë prijës të tillë fetarë, s’ fitojmë as grimcë morali ose Perëndie. Roli i tyre ishte që t’i bindnin besimtarët se pikërisht ferri është parajsa e vërtetë. T’u tregojnë se më shumë duhet t’i respektojnë zotërat e rrejshëm sesa atë të vërtetin. Ndërkaq ne assesi të kuptojmë se djalli nuk vin te ne me dhëmbë të tmerrshëm dhe brirë të mprehtë, por me gjithçka që shpirti na dëshiron.

Në të gjithë këtë avari e vjedhje, “kumbarë” ishin gjykatës, prokurorë, kambial-deputetë, funksionarë shtetërorë si dhe gjykatës të Kushtetueses. Të gjithë ata duhet të përgjigjen për vepra të rënda penale. “Kumbarë” qenë edhe intelektualë që kishin marrë “tezga”. Ishin kumbarë të miliarda eurove të lara nëpër Belize, Salvador e Qipro. Mirëpo, tashmë paratë e lara, tenderet, vilat luksoze, çifligjet e mëdha, llogaritë e zeza – fillojnë të flasin. Tani çdokush që ka inteligjencë elementare pyetet – pse nga  vendi i parë në rajon arritëm të bëhem njëri ndër dhjetë shtetet më të varfra në botë?! Pse gjithë ky kaos në ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë?! Pse edhe gjatë një përmbytjeje të zakonshme asgjë nuk funksionon përveç celularit të Gruevskit, që dëshmon atë?! Kush mori paratë për të pastruar kanalet, e këtë nuk e bëri duke fituar para të zeza e duke veshur familje me të zeza?! Pse shteti udhëhiqet nga ata  që premtuan qiellin kurse realizuan nëntokën?! Pse  boshatisën shtetin nga të rinjtë me përmasa të një eksodi epokal?! Përse në çdo hap në vend të buzëqeshjeve shohim pikëllime, vuajtje e dëshpërime?! Pse pushteti tërë kohën “sulmonte” grekët, a biznesin më të madh nëntokë e bënte pikërisht me ta?! – E shumë përse-ja të tjera!

Fundi i Gruevskit dhe Ahmetit

Tashmë të gjithë e kanë të qartë se atë që pushteti e quante sukses të madh, në realitet paska qenë vetëm një fatkeqësi e madhe. Fronti opozitar i bashkuar duhet të gjithëve t’u shpjegojë se pushteti qëllimisht provokoi me “rrugën antike” që ta minojë rrugën euroatlantike, e cila ishte pengesë për vjedhje, krim të organizuar dhe diktaturë. Por edhe të lajë para me “Shkupin 2014”. Të gjithë këtë e mbulonin me patriotizëm dhe nacionalizëm të rrejshëm, për të krijuar mjegull që të mos shihet se si ujqër të zi therin dele të bardha. Kështu mashtruan shumë të ndershëm, të cilët tani shohin se me vite të tëra janë udhëhequr nga liderë jo të ndershëm. Na udhëhiqnin njerëz me moral të blerë në tregun e zi. Tani ndjejmë një boshllëk të madh, sepse bosh na kanë udhëhequr shpirtrat bosh, me kokë krejt bosh, me moral bosh, por me xhepa të mbushur. Prej këtu më nuk bëhet fjalë për atë se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por si të shpëtojmë nga Gruevski e Ahmeti! Kjo nuk do të jetë asnjë fitore partiake, por thjeshtë njerëzore. Ne duhet të jemi të gatshëm edhe për më të keqen, nëse sërish vjedhin zgjedhjet. Çfarë do që të ndodh ajo do të jetë çmim shumë më i vogël se mbetja e tyre në pushtet. Nuk duhet të presim që lumi të shteret që ne ta kalojmë. Askush nuk duhet të ketë frikë, sepse frikacaku s’luan ndonjë rol as në jetën e vet. Duhet të dimë se  marrëveshja me Gruevskin dhe Ahmetin nuk do të thotë ndonjë garanci e madhe, sepse një kod i këtillë mental nuk njeh as marrëveshje, as realitet e as racionalitet.

Fazat e shërimit

Shpëtimi dhe shërimi duhet të kalojë nëpër tri faza. Faza e parë është angazhimi për formimin e një fronti të përbashkët, pa dallim të përkatësisë së etnisë, sociale dhe asaj fetare ose bindjes ideologjike me të vetmin qëllim të shpëtojmë nga katastrofa njerëzore.  Faza e dytë është përmbysja e pushtetit me çdo kusht në këto zgjedhje. Ky pushtet është përmbytje dhe tërmet që na zgjat me dhjetëra vite. Këtu çdo i paanshëm është në anën e së keqes. Çdo njeri i mençur, duhet të jep kontributin e tij në përmbysjen e Gruevskit dhe Ahmetit, dhe këtë duhet publikisht ta bëjë. Pastaj do të na duhet mund shumë i madh për ta rimëkëmbur vetveten, sepse gjendemi para një bankroti. Duhet punë për të varrosur partizimin e institucioneve. Urgjent duhet të ndryshohen ligje të shumta (edhe penale) që përfundimisht profesionalizmi të bëhet i vetmi kriter për punë dhe përparim. Faza e tretë është përgatitja e zgjedhjeve normale dhe të lira, kur çdokush do të mund të qaset me ofertën e vet ideologjike. Këtë mirë e dinë të gjithë mafiozët e mëdhenj dhe prandaj shumica prej tyre kanë blerë shtëpi në Moskë dhe rrethinë.  Lojtarët e mediave gebelistike tashmë kanë planifikuar ikje nga shteti. Por, vështirë se Rusia e cila ka interes të përmirësojë marrëdhëniet me Perëndimin për shkak të kolapsit të vet ekonomik, do t’u jep mbrojtje edhe kriminelëve tanë. Përkundrazi, ata mund të shërbejnë vetëm si mjet këmbimi politik për interesat ruse.

Pas shpëtimit, shumica e atyre që kanë përkrahur pushtetin në ikje, zemra do t’i shtrëngojë, lotët do t’u rrjedhin rrëke, do t’i bien kokës dhe do t’i shkulin flokët. Do të kuptojnë se Antikiteti paska qenë vetëm një Kal i Trojës. Do të vajtojnë se si kanë mundur të shpallin për Zot aso individësh që s’meritojnë të jenë as njerëz. Por, megjithatë Zoti është i madh!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button