S’KA SHKA M’BAN BUMJA MUE

Letërsia, publicistika dhe gazetaria shqiptare është përplot shkrime me përmbajtje lutjesh për shpëtim drejtuar Krijuesit të gjithësisë. Shumë prej tyre janë shkruajtur gjatë viteve të para të pavarësisë, kur shqiptarët ia dolën, me nëntëqind kijamete, ta bëjnë një copëz Shqipërie, po dështuan keq në bërjen e shqiptarit, i cili qe adaptuar me jetën nën llostin e të tjerëve dhe frikësohej prej lirisë si prej një gogoli. I katandisur kësisoj, përpara idesë së bashkimit ,ai (shqiptari) vuri atë të fragmentarizimit të mëtejmë të trungut etnik, gjë që nxiti krijuesit të sfidojnë gjeneratorin e këtij kobi. Ndër ta u dallua Nonda Bulka me prozën Lutje Zotit, e cila, për fatkeqësinë tonë, duket si e shkruar sot.

Ta shijojmë e të marrim mend bashkë:

Zot që je në qiell, dërgona urgjent mënd…

Dërgona mënd, o Zot, përndryshe merrna me këto që kemi.

…Jepu shqiptarëvet vullnet dhe logjikë që të flasin shqip, të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënë ata, shpejt a vonë, do ta bëjnë atdhenë babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.

…Vendos, o Zot, çdo njeri në vendin që i përket.

Mos lejo që veterinari të bëhet avokat, rrobaqepësi diplomat, gjykatësi letrar, doktori gjykatës, poeti politikan dhe politikani poet.

Meremetoje pak shtëpinë që na dhe peshqesh, se zuri myk, o i fuqiplotë…

Pa dyshim, lutjet si kjo portretojnë zhgënjimin dhe revoltën e më shumë brezave që e deshën atdheun me dhembje në stinët kur rrezikohej ekzistenca e tij; që u përpoqën të mënjanojnë pengesat e udhës së ardhmërisë; që akuzuan hapur bashkëkombasit e pamarrur vesh, të cilët, si të ndjekur nga ndonjë mallkim hyjnor, çdo hap përpara e shoqëronin me nga dy-tre hapa prapa.

Dëshpë­rimi i tyre ishte i përmasave kozmike, sepse e këtyre përmasave qe edhe përpjekja mbinjerëzore për mëkëmbjen e kombit të katandisur. Gati nuk mbeti rilindës që nuk e shprehu me shkrim brengën për mosbërjen e shqiptarit dhe mosbesimin e paskrupullt të masave pa vetëdije etnike, pa merak shqiptarizme, pa kulturë elementare politike… kundrejt bijve më të mirë të atdheut, që, pasi e rikrijuan nga kurgjëja gysëmshtetin e tyre, u konsideruan të padenjë për t’i prirë përpara princvidëve dhe dumbabëve.

Për çudi, para hundëve shqiptare vazhdojnë të luhen të njëjtat skena të teatrit politik, si edhe shekuj e dekada më parë, por ne nuk u kushtojmë vëmendje, duke rezervuar me naivitet gjithë të nesërmen për to. Këtë e arsyetojmë me të kollajshmen: na e bën tjetri…, pa e kuptuar se tjetri e ka për detyrë t’na e bëjë sa herë që na zë në gjumë dhe sa herë i japim shkas të bëjë hajgare me vetëdijen tonë prej harabeli.

Ja pra ku duhet kërkuar përgjigjen përse na e kanë punuar kulaçin den baba den, për ta ndërprerë pastaj zakonin e bërjes bajram me mendjen, krenarinë e pambulesë dhe besimin e budallaftë të ushqyer nga hiti i shekullit të humbur shqiptar: S’ka shka m’ban bumja mue!?

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button