Mjaft ishte! Filluam të buzëqeshim

Mjaft ishte! Pas kaq vitesh, filluam t’i shohim rrezet e para të diellit. Për fatin tonë të mirë, sot është nënshkruar marrëveshja për zgjidhjen e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së në Maqedoni. Katër partitë kryesore në Maqedoni vendosën njëzëri ta rregullojnë statusin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Kjo ishte e domosdoshme që të realizohet, sepse ishte pjesë e marrëveshjes së Ohrit dhe në këtë të fundit, marrëveshja e Përzhinos.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ishin tepër të kënaqur që arritën ta asgjësojnë këtë padrejtësi që në vazhdimësi i është bërë familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së në Maqedoni. Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ishin kategorik dhe të prerë në zgjidhjen e këtij problemi ose përndryshe kishin vendosur ta prishnin Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Përzhinos.

Mes tjerash, ata u shprehen se do t’ju paguhet dëmshpërblimi sikur paramilitarëve sllavomaqedonas nga 25 mijë euro dhe të gjitha kontributet tjera duke filluar nga viti 2001 e deri më sot me vlerë 53. 735 euro. Aq sa kanë marrë paramilitarët sllavomaqedonas as më pak e as më shumë!!!

O VËLLEZËR, KJO NUK ËSHTË E VËRTETË. KËSHTU DUHET TË ISHTE, POR REALITETI ËSHTË KREJT NDRYSHE

Realiteti është pikërisht ashtu siç fare nuk do të duhej të ishte. Politikanëve shqiptarë as që u ka interesuar të fusin në rend dite satusin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së e cila është e garantuar me ligj.

Desha t’ia bëj me dije se kështu do të bëhet loja e re me politikanët e poshtër Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi gjatë fushatës zgjedhore brenda këtyre tre muajve deri më 11.12.2016. Kështu që, mos i hani këto gënjeshtra, ngaqë përpos se janë gënjeshtra, këto janë edhe të helmuara.

Realiteti është ndryshe. Nuk është interesuar asnjë politikan e as një analist leshi të merret me këtë temë. Realiteti është se ushtarët e UÇK-së disa janë vrarë pas shpine dhe pas lufte në tradhti. Disa ushtarë u burgosën me burg të përjetshëm apo me 10, 15 apo 20 vite duke u torturuar për çdo ditë. Disa ushtarë vuajnë për kafshatën e gojës. Disa ushtarë janë larguar nga shteti për shkak të kurtheve të BDI-së dhe aty-këtu të PDSh-së. Disa ushtarë nuk mund të dalin nga shëpia, sepse nuk i kanë këmbët, duart, veshkët e kështu me radhë sepse i humbën në luftë. Pastaj, invalidët e luftës dhe fëmijët e dëshmorëve shqiptarë nuk mund të regjistrohen në Universitetin e Tetovës, edhe pse u vranë më të dashurit e tyre duke e mbrojtur këtë universitet,  kurse ata sllavomaqedonasët që i vranë shqiptarët, të cilët e mbronin universitetin, regjistrohen pa kurrfarë problemi edhe atë pa pagesë dhe me shumë privilegje. Mos të harrojmë se LSDM-ja e  Muhamed Zeqirit dhe e Ramadan Ramadanit i vrau shqiptarët për Universitetin e Tetovës dhe as që u kujtua ndonjëherë të kërkojë falje konkrete,  kurse VMRO-ja e BDI-së i vrau shqiptarët më vitin 2001, ndërsa pas këtij viti ajo vazhdoi me të njëjtin tmerr, por duke i ndryshuar mjetet. E të nderuar lexues dhe bashkëluftëtarë, këtyre vrasësve u dhanë beneficione në Universitetin e Tetovës.

Krejt në fund të këtij fundi mashtrues, ju themi, o ju politikanë të poshtër, si nuk ju vjen turp të flisni në emër të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së. Më duket se harrova. Ju dhe turpi që moti jeni ndarë. Prandaj, shpresoj se populli shumë shpejt t’ju ndajë prej politikës duke ju dëshiruar ëndërra të bukura në qelitë e burgjëve.

(Autori është ish ushtar i UÇK-së dhe i plagosur në luftën e 2001-shit)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button