Fazliu: Maqedonia është rast unik në botë që fatkeqësitë natyrore ndodhin si pasojë e fatkeqësisë politike

Buxheti për vitin e ardhshëm të parasheh masa preventive për kriza natyrore, që të mos ndodhin fatkeqësi me dëme materiale dhe në njerëz. Kështu ka porositur sot deputeti Bekim Fazliu, nga radhët e PDSH-së, gjatë mbledhjes së Komisionit për financim dhe buxhet, raporton Portalb.

“Krimin dhe korrupsionin nuk e mbulon asnjë ligj që e sjellni. Nuk mund t’i ikni përgjegjësisë. Maqedonia është rast unik në botë që fatkeqësitë natyrore ndodhin si pasojë e fatkeqësisë politike. Tetova a nuk është qe 10 vjet krizë elementare, si pasojë e kësaj Qeverie që nuk ka ujë për pije? A nuk është Çairi, në krizë elementare, një shi dhe bëhen vërshime? A nuk është në krizë Haraçina dhe Hasanbegu me kanalin? Tash e pamë cfarë dëme u bënë”, theksoi deputeti Fazliu.

Sipas tij, propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhet ka qëllime të errëta, nuk ka qëllime që të prevenon fatkeqësi të tilla.

Ai ka kërkuar që të rritet transparenca e buxhetit, prej te hartimi i buxhetit e deri te shpenzimi i denarit të fundit.

“Parlamenti duhet të kyqet në çdo fazë. Buxheti nuk është mall i juaj, janë paratë e qytetarëve dhe deputetët janë përfaqësuesit e popullit që duhet të mbikëqyrin se ku shkojnë këto para. Prandaj, tash e tutje në buxhet duhet të parashihen mjete të shumta për tragjedi. Të merren masa preventive”, tha Fazliu.

“10 vite kjo Qeveri ka harxhuar para në projekte të çmendura. Ky ligj është i papranueshëm për PDSH-në”, përfundoi ai.

Qëndrimit të deputetit Fazliu i replikoi deputetja e VMRO-DPMNE-së Gordanka Aviroviq.

Sipas saj, ka mekanizma, ka mbikëqyrje, urdhëroni, ne si deputet mund t’i dëgjojmë përgjegjësit dhe të shohim se çfarë ka ndodhë dhe jo vetëm të supozojmë.

Ajo vlerësoi se kompetentët kanë qenë në terren. “Po flasim për kataklizëm, gjendje të jashtëzakonshëm. Nuk është e vërtetë kjo që potenconi se e bëjmë për të vjedhur. Në mënyrë preventive, zgjidhje ligjore që do të krijon mundësi më tutje që në mënyrë efektive të ballafaqohemi me kriza”, tha Aviroviq.

­Sot para deputetëve ishin ndryshimet e propozuara të Ligjit për buxhet, në procedurë të shpejtë, me të cilat do të mundësohet që Ministria e Financave të bëjë ridedikim, rishpërndarje të mjeteve të pesë për qind nga buxheti, me qëllim të pagesës më të shpejtë në kushte të fatkeqësive elementare./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button