Konsolidimi i partive politike në ajër, sa janë pjekur kushtet për zgjedhje?

Nuk qëndrojnë në një linjë të mendimit katër partitë politike një javë para se të ulen në një tavolinë të katër liderët, nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos- Menduh Thaçi, Ali Ahmeti, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, për të definuar procesin politik deri në zgjedhje, shkruan Portalb.mk.

A janë plotësuar kushtet për t’u caktuar datë e re e zgjedhjeve?

LSDM ende pa qëndrim të prerë, thonë se duhet të presim se cfarë do të del nga takimi i liderëve, që është përcaktuar për 31 gusht.

“Se a do të ketë kushte për zgjedhje apo jo do të vlerësohet në takimin e liderëve. Ky është qëndrimi i partisë për momentin, e kemi përsëritur disa herë”, tha për Portalb nënkryetarja e partisë Radmilla Shekerinska.

VMRO-DPMNE janë të bindur se kushtet janë plotësuar për zgjedhje qysh në muajin prill, të njëjtit ishin të bindur se kishte atmosferë për zgjedhje edhe në qershor.

“U pa se kushtëzimet absurde për Listën zgjedhore dhe votuesit fantom  ishin vetëm manipulim i LSDM-së për të ikur nga zgjedhjet. Zaevi edhe vet e pa që edhe pas 6 muajve në poste ministrore, pa mandat nga qytetarët, jo që nuk e arriti rejtingun e tij por përkundrazi e uli. Prap vlerësimi për plotësimin e kushteve varet prej asaj se sa do të mbledh guxim Zaev që të përballet me rezultatet nga politika e tij destruktive”, tha për Portalb zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski.

Partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH heshtin rreth kësaj çështje. Ata kanë qenë të pakapshëm për prononcim.

Rreziqet pas takimit të liderëve

Takimi i liderëve, të katër partive nënshkruese në Përzhino- PDSH, BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që pritet të mbahet më 31 gusht, ku duhet të vendoset data definitive e zgjedhjeve, më pas do të ballafaqohet me dy sfida të rëndësishme: njëra është ë lidhur me funksionimin e PSP-së dhe tjetra me Listën e “pastruar” zgjedhore.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale Publike.

Rreziku i dytë për komprometimin e kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike është fati i Listës së pastruar zgjedhore, e cila gjithashtu do të gjendet para Gjykatës Kushtetuese, pasi që BDI ngriti iniciativë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të KSHZ-së për fshirjen e 39.502 votuesve. Koha kur votuesit nga Lista e kontestueshme duheshte ta vërtetonin të drejtën e votës, ka mbaruar më 19 gusht. Deri në atë afat vetëm 8.922 qytetarë e kanë konfirmuar të drejtën e votës në KSHZ. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë iniciativë, gjithashtu mund të ketë ndikim në përgatitjen e procesit zgjedhor./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button