“Kasapët” e Hitlerit (FOTO)
Përgjatë viteve që ishte në pushtet, Adolf Hitleri arriti që të manipulojë një popull të tërë për të realizuar masakrën më të madhe në historinë e njerëzimit, që do të merrte fund me Luftën e Dytë Botërore.
Por të gjitha këto, ai nuk do t’i kryente dot i vetëm. Rreth tij kishte një grup njerëzish më të afërt dhe të besuarit e tij dhe për nga mizoritë, disa tejkalonin edhe vetë idetë e kryenazistit.
Një album i rrallë me fotografi të disa prej të besuarve të Hitlerit, të shkrepura në kohën kur ata prisnin gjykimin, është bërë publik 70 vite më vonë.
Fotot janë bërë nga Hank Schardt, një oficer i Aleatëve dhe pjesë e grupit që hetoi krimet e luftës pas përfundimit të luftës së madhe. Në këtë album gjen foto të Hermann Goering, Josef ‘Sepp’ Dietrich e deri tek Ribbentropi.
Goering përshkruhet nga Schardt si i varur nga drogërat, ndërsa në dëshmi pohonte se ishte thjesht stiluesi i uniformave të ushtrisë dhe anëtar i Partisë Naziste që në ditët e para të saj. Por në gjyqin kundër tij, u provua se nuk kishte projektuar vetëm uniformat, por edhe shfarosjen në masë të popullsisë civile me një rol aktiv në Holokaust.
Ai u gjet fajtor nga një Gjykata për Krime Lufte në Nuremberg dhe u dënua me vdekje, por arriti që të vriste veten duke pirë cianium një ditë para se të varej.
Një tjetër person në albumin në fjalë është edhe Josef Sepp Dietrich. E nisi si shofer i Hitlerit dhe më pas truproje e tij. Mori pjesë në ‘spastrimin’ e 1934, të njohur si “Nata e thikave të gjata”, kur nazistët eleminuan fizikisht të gjithë kundërshtarët e tyre politikë. Shpejt u bë komandant i forcave Waffen-SS, grup paramilitar i forcave speciale SS, ku kishte pushtet përtej kompetencave të gradës për shkak të marrëdhënies së ngushtë me Hitlerin.
U dënua me burgim të përjetshëm për rolin e luajtur në vrasjen e disa ushtarëve amerikanë. Vendimi iu ul me 25 vite burg dhe pasi vuajti 10 u la i lirë me kusht. Menjëherë sapo u lirua, u arrestua sërish nga autoritetet gjermane që e dënuan me 19 muaj burg për rolin e luajtur në ‘spastrimin’ e 1934.
Një tjetër është Otto Skorzeny. Një pjesëtar dhe udhëheqës i Waffen-SS i spikatur. Ai u zgjodh posaçërisht nga Hitleri në misionin për të liruar diktatorin italian, Mussolini. Gjatë këtij operacioni, ushtarët gjermanë infiltruan në radhët e ushtrisë aleate me uniforma amerikane duke vrarë dhjetra prej tyre. Për shërbimin e kryer, është nderuar nga Hitleri me medaljen më të lartë; “Kryqi i Kalorësit”.
Skorzeny u bë më pas një nga dëshmitarët kryesorë në gjyqin e Nurembergut, për t’u marrë më pas vetë si i pandehur me akuzën e shkeljes së ligjeve të luftës në betejën e Bulge. Në këtë betejë, ai dhe nëntë oficerë të tjerë gjermanë, të veshur me uniforma amerikane vranë dhjetra prej tyre. Ai u shpall i pafajshëm në këtë gjyq.
Një tjetër emër i njohur në album është ai i Hans Michael Frank. Avokati personal i Hitlerit praktikisht qeveriste Poloninë e pushtuar dhe ishte personi që qëndronte pas masakrave ndaj civilëve dhe vrasjeve në masë të hebrenjve. U gjykua dhe dënua me vdekje. Ai u var në vitin 1946.
Alfred Jodl, për ata që e njohin mirë historinë e Luftës së Dytë Botërore, ishte gjenerali që firmosi kapitullimin pa kushte të Gjermanisë. Por jo vetëm kaq. Ai ishte një ndër udhëheqësit ushtarakë të parapëlqyer nga Hitleri. U gjykua, u gjet fajtor dhe u ekzekutua.
Julius Streicher nuk ishte as ushtarak, as nuk mori pjesë në përgatitjen e Holokaustit. Ai ishte një aktivist nazist i pamëshirshëm ndaj hebrenjve, aq i pamëshirshëm sa edhe vetë nazistët shpesh dënonin metodat e tij çnjerëzore. U gjykua dhe dënua me varje në gjyqin e Nurembergut.
Robert Ley ishte një politikan i njohur në Gjermaninë naziste. Drejtoi Frontin Punëtor nga 1933 deri në 1945. Edhe pas rënies së Rajhut të Tretë, i qëndroi besnik Hitlerit. Vrau veten para se të dilte në gjyq.
Edhe vetë Joachim von Ribbentrop ndodhet në këtë album. Shefi i diplomacisë naziste luajti një rol kyç në prishjen e paktit gjermano-sovjetik dhe pushtimin e Polonisë, që më pas shkaktoi Luftën e Dytë Botërore.
Por para kësaj, meritë kishte edhe për ardhjen në pushtet të Hitlerit më 1933. Në shtëpinë e Ribbentropit nazistët bënin mbledhjet sekrete dhe intrigat e këtij të fundit luajtën një rol vendimtar në caktimin e Adolf Hitlerit si kancelar.
U bë një nga njerëzit më të besueshëm të Hitlerit, megjithëse për shumë drejtues të tjerë madhorë nazistë, shihej si një person i paaftë. U dënua me vdekje dhe u var.
Rudolf Hess ishte zëvendësi i Hitlerit. U dënua me burg nga procesi i Nurembergut dhe ishte i vetmi që i mbijetoi burgut Spandau. Vdiq në mënyrë misterioze në vitin 1987. Në publik u tha se vrau veten, por shumë njerëz besojnë se ai shumë i sëmurë për ta bërë këtë akt dhe se u vra nga shërbimet sekret britanike për shkak se po bënte publike disa dokumente të Luftës së Dytë Botërore.
Alfred Rosenberg, ose ndryshe ‘truri’ i ideologjisë naziste. Konsiderohet si një ndër autorët kryesorë të propagandës, teorisë racore dhe persekutimit të hebrenjve. Gjatë pushtetit të Hitlerit mbajti një sërë pozicionesh kyçe në qeveri. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje në Nuremberg.
Më e pazakontë në këtë album është Hanna Reitsch, një pilote. Ajo fluturoi me një avion në Berlin me shpresën për të nxjerrë prej andej Hitlerin para se të hynin rusët. Por, Hitleri refuzoi dhe zgjodhi të vrasë veten. Ishte personi i fundit që pa Hitlerin dhe shefin e propagandës naziste, Joseph Goebbels gjallë në bunkes. U mbajt e ndaluar për 18 muaj dhe më pas u la e lirë. Vdiq në vitin 1979.
Sa i takon autorit të këtij albumi, Hank Schardt; ai lindi në Erfurt në Gjermani. Emigroi në Çikago në vitin 1926. Në 1937 iu bashkua ushtrisë amerikane dhe më vonë u caktua në zyrën e inteligjencës në Europë, si një ndër personat që fliste rrjedhshëm gjermanishten.
U caktua në zyrën hetimore për krimet e luftës në proceset gjyqësore të Nurembergut, kohë kur edhe është bërë ky album. Pas Nurembergut qëndroi edhe pak kohë në ushtrinë amerikane, për t’iu bashkuar më pas CIA-s. U tërhoq në vitin 1976 dhe u nderua me Medaljen e Meritës nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës. Vdiq në vitin 1990.
Albumi në fjalë u shit nga vajza e tij tek një koleksionist amerikan. Ky i fundit do t’i nxjerrë na ankand më 7 shtator dhe shifra fillestare është 18 mijë dollarë. / Top Channel