Thaçi kërkon që të mos dëgjohen të tjerët çfarë thonë për demarkacionin

Presidenti i Kosovës, tash që kanë mbetur vetëm edhe 12 ditë deri te seanca plenare e Kuvendit të Kosovës që pritet ta vërë në rend dite ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit Kosovë – Mali i Zi, ka bërë edhe një apel për votimin e tij, transmeton Koha.net.

Është hera e tretë radhazi gjatë tri ditëve të fundit që Thaçi flet për demarkacionin me kërkesën që të ratifikohet.

Sipas, Thaçit, me ratifikimin e Marrëveshjes tregohet “besimi ynë ndaj partnerëve perëndimorë”.

Ai, për këtë ka shkruar në Facebook:
“Të dashur miq,

Pak ditë na ndajnë nga votimi i marrëveshjes së demarkacionit, ku do të na jepet sërish mundësia të dëshmojmë se jemi shtet serioz që përmbushim angazhimet e marra dhe jemi popull mirënjohës e besnik ndaj aleatëve tanë strategjik.

Unë ju ftoj të gjithëve të keni besim tek institucionet e Kosovës dhe tek këshillat e partnerëve tanë euroatlantik.

Mos dëgjoni pretendimet e rreme të akterëve politikë, që për përfitime të ngushta personale e partiake janë të gatshëm të rrezikojnë interesat e shtetit, integrimet euroatlantike dhe aleancën tonë strategjike.

Demarkacioni i kufijve me konsensus bilateral, siç e ka bërë Kosova me Malin e Zi, është një arritje e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti, pasi kufijtë e pakontestuar garantojnë paqen, stabilitetin dhe fqinjësinë e mirë.

Me këtë marrëveshje, Kosova çimenton tre nga katër kufijtë e saj shtetëror në mënyrë konsensuale dhe të pranuar ndërkombëtarisht e pastaj mbetet vetëm demarkacioni i kufirit me Serbinë, i cili në kuadër të integrimit evropian, në një të ardhme të afërt do të jetë i pashmangshëm për këtë shtet.

Prandaj, ratifikimi i marrëveshjes është interes shtetëror dhe i domosdoshëm për vizionin tonë euroatlantik.

Në aspektin afatshkurtër, ratifikimi i demarkacionit mundëson thyerjen e izolimit, pra lëvizjen pa viza dhe gjithashtu formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe fillimin e procesit zyrtar për anëtarësim në NATO.

Interesi shtetëror dhe përfitimet që ka Kosova nga ratifikimi, nuk lënë hapësirë për dilema dhe kauza të rrejshme politike.

Këtë gjë tashmë e kanë kuptuar shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kanë shprehur zotimin e tyre se do ta votojnë marrëveshjen pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve”. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button