Siri, në Halep 400 mijë njerëz presin ndihmë humanitare

Rreth 400 mijë njerëz në Halep të Sirisë janë duke pritur ndihmat humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i organizatës humanitare turke IHH, Bulent Yildirim tha se Halepi shpesh është objektiv i sulmeve ajrore dhe sulmeve të tjera. Ai kujton se në Halep një numër i madh i ndërtesave janë shkatërruar, dhe për shkak të mungesës së paisjeve adekuate tërheqja e njerëzve nga rrënojat është vështirësuar. Përveç kësaj, problem paraqet edhe numri i pamjaftueshëm i ambulancave, por edhe spitalet nuk janë të pajisura për të trajtuar pacientët.

Sipas tij, IHH vazhdon të shpërndajë ndihma në Halep.

“Në fazën e parë kemi shpërndarë pako me miell, perime, fruta dhe ushqime të tjera. Në Halep kishte furra për prodhimin e bukës ku ne kemi dërguar miell. Ata nuk kanë nevojë vetëm për ushqim, ata kanë nevojë për çdo gjë. Njerëzit me të vërtetë vuajnë. Ata kanë nevojë për makina për pastrim. Avionët bombardojnë pa mëshirë, por pavarësisht kësaj ne kemi ekipe për shpëtim atje. Halepi me të vërtetë ka nevojë për ndihmë”, ka thënë Yildirim i cili shtoi se pas thyerjes së rrethimit të Halepit, janë marrë edhe disa zona ku ishin të vendosura trupat e regjimit.

Yildirim tha se rreth 400 mijë njerëz në Halep kanë nevojë për ndihmë të përditshme.
“Në Halep ne duhet të shpërndajmë nga 100-150 mijë bukë në ditë. Ne kemi nisur një fushatë. Në fazën e parë do të dërgojmë 300 kamionë me miell. Ne vazhdojmë të përpiqemi që çdo banori ti ofrojmë pako të ushqimit. Kjo mesatarisht do të thotë, të shpërndajmë ndihmë për rreth 100.000 familje”, tha ai duke vënë në dukje se një pjesë e pakove është gati, por se ende është e pamjaftueshme.
Gjithashtu ka nevojë për furnizime për fëmijët si dhe ndihma në barna për të sëmurët, numri i të cilëve çdo ditë është në rritje.
Me ardhjen e Kurban Bajramit, nga IHH presin ndihmë shtesë nga njerëzit e vullnetit të mirë në donacione për popullatën e Halepit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button