“Cunami” në Tetovë apo “cunami” në tekst?

[Recension: “ALARM: “Cunami” filloi në Tetovë”]

Rastis shpesh që të haset në tituj që nuk përshtaten aspak me përmbajtjen. Diçka tjetër thotë titulli, e diçka tjetër dëshmon teksti, ose që gjendja, për të cilën alarmohet në titull është larg asaj që ndodh realisht. Por, kur titulli të alarmon deri në atë masë sa të mos ketë kuptim, të mos ketë informacion, kjo nuk është më vetëm jo profesionale, kjo është  shumëfish – “jo”, së paku sa u përket aspekteve etike të gazetarisë.

Shqipmedia - Alarm - Cunami filloi ne TetoveLinku deri te artikulli origjinal: “ALARM: “Cunami” filloi në Tetovë”

Data e publikimit: 17.06.2016

Data e recensionit: 19.08.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Një artikulli që jep një “ALARM” me shkronja të mëdha, patjetër t’i kushtohet rëndësi për të mësuar se për çfarë qenka alarmi, për të cilin duhet të shqetësohemi. Një sekondë!… Tetova nuk ka dalje në det, kurse përmbytjet e llojeve të tjera nuk janë “cunami”. Autori nuk e ka bërë “lëshimin” nga padituria, por nga nevoja për të tërhequr vëmendje duke ngritur një shqetësim që ndoshta aludon në katastrofë natyrore apo diçka tjetër tejet të rëndësishme për sigurinë e popullatës, gjë që sipas Kodit Etik është e pafalshme.

Kjo nuk është katastrofë natyrore që vjen nga Zoti por është katastrofë njerëzore që vjen nga BDI-ja e Ali Ahmetit. Nëse në Hasanbeg vërshimet dëbuan njerëzit nga shtëpitë e tyre në Tetovë është BDI-ja e cila dëbon tetovarët nga vendi i tyre. Për cka bëhet fjalë?

Artikulli nuk ka strukturën e zakonshme të një lajmi, që do të thotë se nuk është ndërtuar mbi parimin e piramidës së përmbysur, por ka një narrativ lirik, ku vendin e fakteve e zënë komentet. E pakta që është dashur të bëhet, është citim i ndonjërit prej të dëmtuarve, ku ai vetë do të shprehte shqetësimin që ka. Kjo duhet bërë për të respetuar parimet e raportimit dhe për të qenë informacioni i besueshëm.

Gjashtë (6) administrator të punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike në Tetovë që kanë zyrat në objektin e komunës së Tetovës me vendim të strukturave të BDI-së transferohen nga vendi i tyre i punës në Tetovë në Drejtorinë e të Ardhurave Publike në Shkup pa asnjë shkas, por vetëm se nuk janë të angazhuar politikisht por e bëjnë punën e tyre profesionale.

Kodi Etik:

Provimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarësisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.

Pas kësaj janë rradhitur edhe të dhëna të tjera, të cilat kanë mbetur vetëm të thëna, për shkak se nuk i konfirmon asnjë palë. Nëse gjashtë të dëmtuarit (siç pretendohet në përmbajtje) janë njëra palë e storjes, patjetër duhet të kërkohej edhe qëndrimi i BDI-së ose palës së ‘akuzuar’. Ndodh që transferimet në punë të jenë të kundërligjshme, por ndodh edhe që të jenë përbrenda rregullave. Megjithatë, nëse njëra palë vlerëson se me atë vendim është dëmtuar, vendimi duhet arsyetuar nga personi që e ka marrë atë.

Kodi Etik:

Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u jep mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vie në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës.

Në mungesë të citimeve, autori nuk ka shfrytëzuar asnjë fakt, asnjë dokument që dëshmon transferimin e personave në vende tjera pune, ose trajtimin jo të drejtë që ju është bërë më herët në punë.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button