Fillon edicioni i 35-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën dhe Kulturën Shqiptare

Në Prishtinë sot është hapur edicioni i 35-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Rektori i Universitetit “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, profesorë, rreth 120 albanologë si dhe dhjetëra studentë, të cilët kanë ardhur në këtë seminar për ta mësuar gjuhën shqipe.

Gjatë fjalimit të tij, kreu i Kuvendit Kadri Veseli theksoi se studiues të gjuhës shqipe anekënd në rruzullin tokësor vijnë në Kosovë e mësojnë gjuhën shqipe dhe njihen me kulturën dhe identitetin shqiptar.

“Kjo është një traditë shumë e mirë e promovimit të Kosovës, e cila duhet të ndodhte jo vetëm në këtë fushë, e cila po tregon sukses, besoj se në veçanti në fushën e zhvillimit tonë ekonomik, në mënyrën që të kemi sa më shumë investitorë në Kosovë, të besojnë në Kosovën, ta njohin Kosovën, ashtu siç besoni dhe vini sot në Kosovë me dhjetëra qindra studiues të Albanologjisë”, u shpreh Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa u shpreh se ky seminar përgjatë shumë viteve ka luajtur një rol të rëndësishëm për njohjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, si dhe për njohjen e Kosovës nëpërmjet këtyre vlerave themelore.

“Si kryeministër i Kosovës jam shumë i lumtur që kjo traditë po vazhdon dhe ky seminar po ndikon dukshëm në pasurimin e dijeve albanologjike, duke trajtuar çdo vit tema të ndryshme, duke ndriçuar figura dhe ngjarje monumentale të kulturës shqipe, dhe duke pasur brenda vetes figura eminente dhe pjesëmarrës eminent nga gjithë bota”, u shpreh Mustafa.

Ndërkohë, Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Kosovës u shpreh se ky seminar ka një traditë të gjatë e cila është afirmuar nga katër anët e botës. Islami bëri të ditur se për këtë ngjarje kanë bashkëpunuar Fakulteti Filologjik dhe ai Filozofik i Universitetit të Prishtinës, Ministria e Shkencës dhe Arsimit, e cila ka financuar tërë seminarin.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, theksoi se ky organizim realizohet në bashkëpunim edhe me Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. “Ky organizim shkencor synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë se këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës”, u shpreh Dema.

Ai bëri të ditur se ky seminar ka pjesëmarrje të gjerë studiuesish, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga 15 vende të ndryshme si Kroacia, Shqipëria, Italia, Bullgaria, Austria, Maqedonia, etj.

Ky edicion i seminarit do të ketë kurse intensive për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt, ligjërata me tema nga historia, kultura dhe letërsia shqipe, si dhe tryeza dhe tri sesione shkencore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button