Tahiri: Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër, datë e rëndësishme historike për Kosovën

Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, me rastin e fillimit të punimeve për heqjen e barrikadës dhe rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër, u shpreh se kjo është një datë e rëndësishme historike për shtetin e Kosovës, sepse sot, sipas saj, po fillon historia e bashkimit të urës pas gjashtëmbëdhjetë viteve që nga fundi i luftës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga zyra për komunikim publik thuhet se ministrja Tahiri uron gjithë qytetarët, për këtë ngjarje të rëndësishme e cila do të bëjë urën një sinonim të lëvizjes së lirë të gjithë qytetarëve dhe automjeteve me një zhvillim sipas standardeve evropiane. Sipas saj kjo urë do të jetë urë për bashkimin dhe bashkëpunimin mes qytetarëve dhe komuniteteve.

“Që nga çlirimi i Kosovës pengesat dhe barrikadat mbi urën e lumit Ibër na kanë shqetësuar të gjithëve si institucionet shtetërore ashtu edhe qytetarët e Kosovës. Prej sot me vendosmërinë e Bashkimit Evropian ky problem po zgjidhet dhe më në fund ura do të jetë simbol ku njerëzit do të lëvizin lirshëm të pa penguar ashtu siç e kanë merituar në shtetin demokratik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministrja Tahiri falënderoi qytetarët e Mitrovicës për kujdesin e treguar gjatë bllokadës një vjeçare të mosfillimit të punimeve dhe organet e sigurisë së Kosovës, Policinë, KFOR-in dhe EULEX-in për kontributin në ruajtjen e rendit dhe qetësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button