Analiza ushtarake: beteja për Alepon, më e rëndësishmja e konfliktit pesëvjeçar në Siri

Një lëvizje kataklizmike rreth e brenda Alepos ka sjellë së bashku të gjithë faktorët kryesorë në luftën civile në Siri në atë që mund të jetë beteja më e rëndësishme e konfliktit pesëvjeçar, dhe që do të testojë faktin nëse bashkëpunimi mes amerikanëve dhe rusëve mund t’i japë fund luftës apo është thjesht ëndërr me sy hapur.

Në veri të qytetit- në të cilin qeveria mban pjesën perëndimore dhe opozita e mbështetura nga SHBA mbajnë pjesën lindore që prej vitit 2012 – opozita ka humbur kontrollin e të vetmes rrugë jetësore të furnizimit nën bombardimin e vazhdueshëm të avionëve dhe artilerisë ruse dhe siriane.

Rruga drejt Turqisë gjithashtu, mundësonte të vetmen rrugë për ndihmë humanitare apo largimi të civilëve për të paktën çerek milioni njerëz të bllokuar brenda Alepos, për të cilët Kombet e Bashkuara thonë se janë lënë pa ushqim, mjekime dhe ujë të pijshëm.

Kaq e vështirë është situate sa bisedimet e nxitura nga administrata Obama me Rusinë këtë verë për koordinimin e përpjekjeve anti-terrorizëm, janë lënë mënjanë, të zëvendësuara nga urgjenca e negociimit me Moskën për rihapjen e rrugës drejt Turqisë.

Ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, konfirmoi këtë fakt pas një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit, por deklaroi se kanë mbetur ende disa probleme, përfshirë edhe këmbënguljen ruse që të mos lejohen furnizime për kryengritësit.

Muajin e kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, solli në Moskë një propozim që SHBA dhe Rusia të ndanin me njëra-tjetrën të dhëna sekrete, të hartonin vendndodhjen e forcave të opozitës dhe të koordinonin goditjen ndaj terroristëve. Plani, që thuhet se fitoi mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë pavarësisht kundërshtisë së fortë të Pentagonit, kërkonte nga Rusia ndaljen e bombardimeve të saj në Aleppo.

Por, siç ndodh rëndom në rastin e Sirisë, ngjarjet në terren tejkaluan planet. Së pari, erdhi ofensiva ruso-siriane në veriperëndim të Aleppos që përmbylli rrethimin qeveritar, duke mbyllur të vetme rrugë të kryengritësve për furnizime drejt pjesës lindore të qytetit.

Së dyti, forcat kryengritëse nxorrën nga pjesa jugperëndimore forcat qeveritare. Edhe pse kjo lëvizje rriti shpresat për mbërritjen e ndihmave drejt zonave të rrethuara, luftimet u intensifikuan .

Kryengritësit thonë se dëshirojnë të zgjerojnë sulmin drejt lagjeve perëndimore të Aleppos që kontrollohen nga qeveria. Ata shpresojnë të konsolidojnë fitoret e tyre përpara një kundërsulmi të pritshëm të forcave pro-qeveritare, ku përfshihen milicite Shiite irakiane dhe luftëtarët nga Hezbollahët e Libanit.

Sulmi ngre mundësinë që forcat e opozitës të vendosin rrethimin e tyre në zonat qeveritare të qytetit. Mundësi të tilla shpesh kanë sjellë rritje të çmimit të ushqimeve dhe produkteve të tjera në zonat besnike të qeverisë, që deri më tani kanë qenë jashtë luftimeve.

Pavarësisht apeleve të kryengritësve për mbështetje dhe kritikave të tyre ndaj Shteteve të Bashkuara, asgjë nuk duket se do të lëvizë shpejt. Edhe pse ka marrë shumë kërkesa nga brenda administratës dhe nga qeveritë aleate për të rritur mbështetjen ndaj kryengritësve, Shtëpia e Bardhë mbetet hezituese.

Analistët thonë se përparimi i kryengritësve në Aleppo nënvizojnë dobësinë e vazhdueshme të trupave tokësore të Assadit. Problemi themelor është se regjimi mund të fitojë terren duke përdorur forcën ajrore ruse, por mbajtja e territorit mbetet shumë e vështirë.

Përgatiti: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button