Akumulimi i mosdijes

 

Njerëzit e civilizuar gjatë historisë kanë krijuar shtete të forta, perandori duke akumuluar dijen e mendjeve të ndritura që ka mundësuar zbulime të mëdha shkencore, që direkt kanë ndikuar në mënyrën e të jetuarit të njerëzimit në përgjithësi.

Dr.Rexhail Ramadani, në një reagim të tij në facebook shkruan: “Egjiptianët para 5000 viteve përmes pozitës të yjeve i parashikonin vërshimet e lumit Nil dhe ndërtonin kanale iriguese … “ Ndërsa sot Enti hidrometeorologjik i Maqedonisë nuk është në gjendje të parashikojë ku dhe kur mund të bjerë shi, edhe pse qeveria ka investuar në sigurimin e aparateve me softuer më modern në këtë institucion. Nuk më habit kur lexova CV-në  e drejtorit, magjistër i shkencave politike !!! A thua duke punësuar diplomaxhi dhe robot-votues nuk janë në gjendje të përdorin këtë sistem modern sipas tyre. Nëse e lexoni intervju-në e hidrometeorologut serb, ekspertit Zhivkoviq nga Beogradi, i cili ka qenë ish drejtor i Entit hidrometeorologjik të ish – Jugosllavisë dhe është me renome evropiane në lëminë e tij, do të mësoni se “Lëshimet e kolegëve nga Shkupi janë evidente. Mosdija e akumuluar me vjet të tëra është arsyeja më e madhe për këtë katastrofë natyrore. Njëqind litra ujë në 1 m2 nuk duhet të jetë fenomen që duhet të frikësoj qytetet e mëdha”. Në anën tjetër sigurova të dhëna që Rijeka, qytet bregdetar në Kroaci, është vendbanimi ku sipas sasisë të të reshurave të shiut zë vendin e parë në botë, me deri në 249.5 l ne m2.
Në këto raste vërshohen bodrumet e shtëpive dhe ndërtesave e bllokohet komunikacioni për një periudhë të shkurtë brenda ditës. Vlen të theksohet se nuk ka viktima, por edhe nuk ka përmendore të shtrenjta (por të vlefshme) e krejt kjo dëshmon se baballarët e qytetit kanë investuar shumë në infrastrukturë se sa në përmendore dhe skulptura të kota. Në Shkup, me 90 litra në m2 ndodhi katastrofë me shumë viktima dhe dëme materiale. Nuk dua të paramendojë ndonjë tërmet me fuqi “mesatare” që do rrënonte shumë e shumë ndërtesa pa elaborate serioze sizmologjike me pasoja edhe më të mëdha, të ndërtuara jo ku duhet por ku do bossi i mafisë urbane. Mos flasim për prerjen e pakontrolluar të drunjëve dhe shkatërrimin e pyjeve të tëra e në anën tjetër organizon aksione për mbjelljen e drunjëve ku u harxhuan shumë mjete e rezultate gati të padukshme.

Si kalojnë ditët, në sipërfaqe dalin edhe dobësi tjera të institucioneve që janë çerdhe tjera të diplomaxhive dhe robot-votuesve. Si p.sh. Drejtoria për shpëtim dhe mbrojtje, Drejtoria për menaxhim të krizave e shumë të tjerë. Përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve në një emision debativ sillen sikur bëhet fjalë për video lojë dhe fyen inteligjencën e taksapaguesve që sigurojnë rrogat e tyre dhe glamurin e përditshëm, si dhe rrogat e diplomaxhive dhe robot-votuesve që rrinë nëpër zyra dhe janë në numër shumë më të madh se sa punëtorët ne terren!?! Më habit edhe pasiviteti dhe mosinteresimi i “profesorëve” të katedrës të gjeografisë, pranë Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore të USHT-së apo UT-së, ku studentëve u ligjërohet lënda e klimatologjisë, hidrogjeografisë, meteorologji etj., por sa për informim ka edhe cikël të dytë të studimeve ku fitohet titulli i magjistrit !!! A, diplomaxhi, diplomaxhi, ku jeni? Flisni mër diçka, apo shkruani të paktën dy rreshta e na tregoni çfarë ndodh. Ministria e shëndetësisë, përrallë në vete, do ta lëm për herën tjetër, se edhe në këtë çerdhe vlon nga mosdija, diplomaxhitë dhe robot-votuesit …

Nëse vazhdojmë kështu mosdija do të akumulohet me progresion gjeometrik dhe do arrijë nivelin kur me të vërtetë do pyetemi, a meriton ky derr shtet të quhet shtet, ku votimet janë më të rëndësishme se jeta e njeriut, votuesit më të rëndësishëm se shtetasit, banditët më të rëndësishëm se intelektualët, ajri i ndotur më i rëndësishëm se profiti, uji i pijshëm më i rëndësishëm se inati politik, përmendoret më të rëndësishme se kanalet iriguese, e sa e sa anomali tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button