Putin: Sanksionet ndaj Turqisë hiqen gradualisht

Rusia do të heqë gradualisht sanksionet ndaj Turqisë. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ku theksoi se bisedimet mes dy udhëheqësve ishin të rëndësishme dhe konstruktive për marrëdheniet dypalëshe, transmeton Top Channel.

Në të njëjtin kuadër, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të dërgojë gazin rus në Europë, duke rinisur projektin e gazsjellësit “Turkish Stream”. Zyrtarë rusë deklaruan se punimet për fazën e parë të gazsjellësit do të përfundojnë në vitin 2019, një shenjë e qartë e riparimit të raporteve mes dy vendeve.

Duke nënvizuar pikërisht këtë, Putin tha se ishte i pari që i telefonoi Erdoganit pas grushtit të dështuar të shtetit, për t’i shprehur atij mbështejen e Moskës. Udhëheqësi i Kremlinit tha se, pavarësisht kontradiktave me Ankaranë, qëndrimi rus në këtë rast ishte parimor, pasi Moska nuk pranon asnjë ndryshim të jashtëligjshëm të rendit kushtetues.

Putin vlerësoi gjithashtu vizitën e Erdoganit, ndërkohë që Turqia po kalon një periudhë të vështirë, diçka që tregon se Ankaraja është e gatshme për normalizimin e raporteve në interes të dy popujve.

Presidenti rus tha gjithashtu se tashmë ka ardhur koha që të flitet seriozisht për rinisjen e marrëdhenieve tregtare dhe ekonomike mes Turqisë dhe Rusisë, si dhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button