Rrëfimi tragjik: Ja si ma mori uji një fëmijë nga dora

Si pasojë e daljes nga shtrati të liqenit të Smilkovcit unaza rreth Shkupit mbetet e bllokuar nga prurje të baltës, pemëve dhe automjeteve të shkaktuara pas reshjeve të dendura të shiut gjatë mbrëmjes së djeshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Dalje nga shtrati i liqenit të Smilkovcit thuhet se përveç dëmeve materiale ka marrë edhe disa jetë njerëzish të cilët udhëtonin në këtë autostradë, trupat e të cilëve janë gjetur orët e para të mëngjesit të sotëm.

Vlladimir Angellovski, shoferi i një kamioni, i cili përjetoi fatkeqësinë kur liqeni i Smilkovcit doli nga shtrati, për AA tha se në momentin kur deshi të shpëtojë një fëmijë, uji mori fëmijën bashkë me prindërit e tij. Ai shtoi se fatkeqësia ndodhi rreth orës 19:00, ndërsa ai qëndroi i bllokuar në kabinën e kamionit deri sa u ul niveli i ujit.

“Pas meje u paraqit një veturë, në të ishte një burrë, një grua dhe një fëmijë. Ata kërkuan ndihmë nga unë, ndërsa burri nxori fëmijën nga dritarja e veturës që të ma japë mua. Në momentin kur desha të kap fëmijën, uji i mori të tre, pastaj më rrotulloi edhe mua dhe rreth një orë e gjysmë mbeta i bllokuar në kamion”, u shpreh Angellovski.

Angellovski i cili theksoi se nga të gjitha anët dëgjonte të thirrura për ndihmë, shtoi se të gjithë njerëzit që jetojnë në rrethinën e liqenit dolën në ndihmë, ndërsa ndihma e shpejtë dhe policia arritën me vonesë për shkak se rruga ishte e bllokuar.

Pjesët më të prekura nga moti i keq dhe përmbytjet janë vendbanimet Stajkovci, Haraçina, Hasanbegu dhe Smilkovci. Ministria e Punëve të Brendshme njofton se deri më tani në këto vendbanime janë konstatuar 20 persona të vdekur, ndër të cilët 13 të identifikuar dhe shumica e të cilëve janë fëmijë. Nga ky dikaster theksojnë se 6 persona mbeten të zhdukur, dhjetëra të lënduar, si dhe shtojnë se të dhënat nuk janë përfundimtare dhe pritet që bilanci të rëndohet edhe më shumë.

Nga Drejtoria Hidrometeorologjike edhe për sonte parashikojnë reshje të rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara nga stuhi dhe erë e forta, veçanërisht në pjesën veriperëndimore të vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button