Miratohet projekt-ligji që i hap rrugë ndërtimit të xhamisë në Athinë

Në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, miratohet në parlament projekt-ligji në lidhje me xhaminë që u vendos të ndërtohet për muslimanët, raporton AA.

Projekt-ligji në lidhje me ndërtimin e xhamisë që u soll ditën e djeshme në parlament, u miratua me 210 vota pro nga partneri më i madh i koalicionit, Koalicioni i Majtë Radikal (SYRIZA), si dhe disa deputetë të opozitës.

Në votim morën pjesë 230 deputetë në parlamentin me gjithsej 300 ulëse, gjatë të cilit kundër ndërtimit dolën deputetët e partnerit të vogël të koalicionit qeveritar Grekët të Pavarur dhe ata të partisë të së djathtës ekstreme, Agimi i Artë.

Ministri grek i Arsimit, Nikos Filis, në fjalimin të cilin e mbajti në parlament para votimit, u shpreh se ndërtimi i xhamisë në Athinë largon terrorizmin nga Greqia, duke shtuar se “Nëse duam që të mos i kemi problemet e njëjta me ato në Francë dhe Belgjikë, atëherë të mos i përsërisim gabimet e së kaluarës.”

Filis po ashtu tha se ndërtimi i xhamisë është çështje që ka të bëjë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. “Evropa duhet ta pranojë se Islami është i pranishëm këtu. Disa ankohen se numri i muslimanëve është i madh dhe pohojnë se vendi po islamizohet dhe se xhamia do t’i tërheqë muslimanët këtu. Po të ishte e vërtetë kjo, atëherë askush nuk do të qëndronte në Athinë, të gjithë do të shkonin në Thraki. Qëllimi i qeverisë është t’i ndërpresim aktivitetet e xhamive jozyrtare të cilat paraqesin njollë për shtetin tonë dhe muslimanët. Ata që e shikojnë me dyshim ndërtimin e xhamisë, le të mendojnë se a është më mire të ketë xhami jozyrtare, apo xhami zyrtare të regjistruar me numër tatimor”, u shpreh ai.

Gjatë fjalimit, Filis theksoi se qeveria SYRIZA ka dhënë miratimin që katër xhami të fillojnë me aktivitete, një prej të cilave është në rajonin Thiva, duke kërkuar nga shoqëria greke dhe forcat politike që janë kundër xhamisë, të mos shpërfillin se kush i financon xhamitë, nga kush trajnohen teologët dhe në çfarë shkalle janë marrëdhëniet e këtyre me ligjin kombëtar.

Ndryshe, projekti për xhaminë ishte nxjerrë me një ligj të vitit 2006 dhe u planifikua të ndërtohet në lagjen Votanikos në Athinë, megjithatë, ndërtimi i saj nuk kishte mundur të fillojë për shkak të kundërshtimeve. Së fundmi, ndërtimi i saj ishte ndaluar me arsyetimin se vendi i ndërtimit të xhamisë ndodhej në shtratin e një rrjedhe.

Projekti i cili kishte nxitur reagime te qarqet fanatike në vend, edhe më pare ishte pezulluar për shkak të kundërshtimeve të një grupi të qytetarëve. Apelimi deri te Këshilli Shtetëror kundër xhamisë nga një grup në mesin e të cilëve ndodhej edhe Peshkopi Metropolitan i Piresë Serafim, ishte refuzuar me shumicë të votave.

Qeveria e Greqisë planifikon që xhamia të ndërtohet në sipërfaqen prej 1.700 metrash katrorë në lagjen Elona të zonës Votanikos nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Arsimit. Tenderi për ndërtimin e xhamisë kishte përfunduar para dy viteve dhe i njëjti ishte miratuar edhe nga Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë që ishte deklaruar se për ndërtimin e xhamisë është ndarë një buxhet prej afërsisht 1 milionë eurosh nga fondet ESPA që mbështeten nga Bashkimi Evropian.

Athina është kryeqyteti i vetëm në Evropë në të cilin nuk ka xhami, kurse muslimanët e këtij qyteti namazin e falin nëpër garazhe dhe bodrume.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button