Dosje: Si u realizua gjykimi skandaloz për Naser Eshtrefin, vrasja në Gjorçe të Shkupit (VIDEO)

Familjarët dhe avokatët e të riut nga Gërçeci, Naser Eshtrefi i dënuar me 14 vite burg për vrasjen e maturantit Angjel Petkov në 2014-tën në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, ngjarje që bëri bujë në Maqedoni, kërkojnë të përsëritet gjykimi. Duke shpalosur për Portalb.mk rrëfimin tronditës për Eshtrefin, argumenti kryesor i tyre është se vendimi i gjykatësit për ti dhënë kaq shumë vite burg ka qenë i motivuar politikisht përderisa vrasja ka ndodhur në vetëmbrojte. Rasti është dërguar në Gjykatën Supreme ndërsa kërkohet që ta merr në duar edhe Prokuroria Speciale Publike.

Lexo pjesën e dytë: Prokuroria Speciale mund ta merr në duar rastin e Eshtrefit, i dënuar për vrasjen në Gjorçe të Shkupit

NUISHI: NUK KËRKOJMË LËMOSHË, POR DREJTËSI!

Gjyshi i Naserit, Ilmi Nuishi thotë për Portalb.mk se nuk kërkojnë asgjë tjetër pos drejtësisë.

“Ne kërkojmë edhe njëherë rasti të kthehet në ri-gjykim për tu vlerësuar drejtë se vrasja e të riut ka ndodhur në vetë-mbrojtje. Ata babë e birë u munduan ta vrasin, por pësoi djali i tyre. Naseri nuk e ka vjedhur biçikletën edhe pse ai ka fillimisht tentuar ta merr, por e ka lënë menjëherë te dera dhe ka vazhduar rrugës për në shtëpi. Babai dhe djali e kanë pritur afër spitalit të syve dhe e kanë sulmuar të parin. Mos ishte mbrojtur Naseri ai do të kishte vdekur. Atij nuk duhet ti jepen 14 vite burg por më pak sepse është mbrojtur, mirëpo mendojmë që rasti ka qenë i motivuar politikisht nga partia maqedonase në pushtet” tregon gjyshi i Naser Eshtrefit, Ilmi Nuishi.

VENDIMI I GJYKATËS – NASERI E KREU VRASJEN ME PARAMENDIM

“Në seancën kryesore Prokurori publik dhe mbrojtësi i të akuzuarit i thanë argumentet përfundimtare, dhe pas këshillimit- këshilli gjyqësor kompetent solli vendimin me anë të së cilit i akuzuari N.E shpallet fajtor për veprën penale sipas nenit 123 paragrafi 1 i Kodit Penal. Këshilli ka marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe vështirësuese të të pandehuri dhe i cakton 14 vite burg, duke ia zgjatur paraburgimin e tij deri sa të ketë një vendim fuqiplotë“, është ky vendimi përfundimtar i Gjykatës Themelore – Shkupi 1, më pas i vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

AVOKATËT: NASERI MADJE MUND TË LIROHET NDËRSA BABAI I ANGJELIT TË HETOHET

Naser Eshtrefi
Naser Eshtrefi

Vendimi i tillë, sipas avokatëve, është bazuar në paragrafin e Kodit Penal për vrasje me paramendim 123 e jo në atë për vetëmbrojte, 125. Ata thonë se Gjykata nuk i ka marrë parasysh dëshmitë që vetë Prokuroria i ka siguruar, ndërsa është ndërhyrë në dëshmi duke prerë disa sekuenca nga kamerat e sigurisë së Spitalit të Syve, afër së cilit ka ndodhur vrasja.

Në një bisedë për Portalb.mk, avokati i Naserit, Angjel Gjeorgjiev shpjegon që rasti është dërguar në Gjykatën Supreme për ri-shqyrtim ndërsa ka kërkuar edhe nga Prokuroria Speciale Publike të merr në duar hetimin.

 “Kemi dërguar ankesë në Gjykatën Supreme, e cila në fjalorin juridik quhet – masë e jashtëzakonshme për të ri-shqyrtuar a është marrë parasysh situata faktike në të cilën ka ndodhur krimi. Në rastin e Naserit, Gjykata bazohet në situatë të gabuar, duke mos marrë parasysh dëshmitë që vet Prokuroria i kishte siguruar, e gjykoi në bazë të një situate që nuk përputhet me ngjarjen reale, automatikisht edhe dënimi është në bazë të gabuar. Ata kanë siguruar kualifikim të gabuar juridik- vrasje me paramendim, duke mos marrë parasysh që vrasja është në vetëmbrojte. Për këto dy vepra penale dallon dënimi me burg. Naseri duhet të gjykohet sipas veprës penale  ‘Vetëmbrojte e Patjetërsueshme’ e cila nuk parashikon burg, ose sipas veprës ‘Vrasje e Çastit’- për të cilën parashihet 1 deri më 5 vite burg.” thotë Gjeorgjiev.

Avokati tjetër, Dimitrija Dimitrioviq thotë që ky vendim i Gjykatës sikur është porositur, është maksimal përderisa shihet qartë që nuk ka moment kualifikues për vrasje të tillë.

“Gjykata Themelore Shkupi-1 Shkup publikoi vendimin që thotë se vrasja është bërë me paramendim, por nuk e ka dëshmuar asnjëherë motivin e Naserit.” shprehet Dimitrioviq.

SI NDODHI RASTI – DËSHMI ABSURDE DHE TË RREJSHME!Biseda me avokatet e Naserit

Avokatët për Portalb.mk kanë sqaruar disa momente kryesore të cilat sipas tyre dëshmojnë që gjykimi ka qenë skandaloz dhe duhet të përsëritet. Argumentet e avokatëve janë si vijon:

  1. MOTIVI I NASERIT MBETET I PADËSHMUAR

    Avokatët dëshmojnë se Naseri nuk ka pasur tendencë për të kryer vrasje sepse ai që në momentin kur e ka parë Angjelin do të i ishte vërsulur, e jo të kalojë afër tij, e më pas Angjeli dhe babai i tij të shkojnë pas tij, si që duket në kamerën e sigurisë, për ta sulmuar.
    (PORTALB.MK KA SIGURUAR VIDEON NGA KAMERA – E GJENI MË POSHTË)
    Mbrojta thotë se Naseri nuk e ka njohur Angjelin, e as ka pas tendencë për ta vrarë, sikur te kishte tendence për ta vrarë do ta kishte sulmuar që në momentin fillestar kur e ka parë. Në vendimin e Gjykatës nuk është dëshmuar aspak motivi i Naserit si dhe pse të kishte dashur të vret Angjelin si dhe as elementi kyç: kush kë ka sulmuar më parë – që do të zbardhte gjithë rastin në favor të Naserit.

  2. 18 LËNDIME TRUPORE TE NASERI

    Mes tjerash vendimi i Gjykatës thotë që Naseri e ka sulmuar Angjelin dhe ka ikur. Por kjo nuk është e vërtetë, avokatët thonë se babai i Angjelit në fund ka pranuar që e ka rrahur Naserin, duke theksuar që vetëm disa herë i ka rënë në shpinë ndërsa nga mënyra si është rrahur duket që i kanë shkaktuar 18 lëndime trupore të vërtetuara nga Instituti për kriminalistikë medicinale. Nga fotot e siguruara nga avokatët shihet se është rrahur dhe ia kanë grisur rrobat si nga para ashtu edhe nga pas.

  3. VIDEO E KAMERËS SË SIGURISË ËSHTË PRERË

    Nga video incizimi mungojnë segmente me nga disa sekonda, ato janë prerë. Nuk është siguruar aspak momenti i sulmit edhe pse kamera kap edhe atë pjesë, me qëllim sepse sipas avokatëve, vërteton se Naseri nuk ka sulmuar i pari dhe që e ka kryer aktin në mbrojtje. Është prerë dhe momenti kur babai i Angjelit merr shkopin e bejsbollit nga vetura.

  4. ASNJËHERË NUK I GJETËN ARMËT

    Sipas avokatëve, i dyshimtë mbetet fakti që thika që u ther Angjeli dhe druri me të cilin e rrahën Naserin nuk janë askund, dhe asnjëherë nuk u gjendën. Mbeti e pa-përgjigjur pyetja se prej nga ka vërtetuar gjykata se thika është e Naserit? Druri ka qenë shkop bejsbolli i marrë qëllimisht nga babai i Angjelit, gjë që vërteton tentim për hakmarrje, sipas avokatëve. Babai i tij e ka kthyer sërish në veturën e kaltër shkopin e bejsbollit dhe e ka mbështjellë me bluzë, kjo duket në video kur kthene
    Nëse gjendeshin armët e sulmit atëherë rasti do të merrte kahje tjetër- do të duhej të quhej rast klasik i vetëmbrojtjes.

  5. MOTIVI I BABAIT TË ANGJELIT NUK MBAN

    Në gjykatë babai i Angjelit kishte thënë se ai me të birin kishin shkuar ta kërkojnë biçikletën dhe këtë Gjykata e ka marrë si motiv të vlefshëm. Por, avokatët thonë se motivi i babait dhe të ndjerit absolutisht nuk ka qenë ta kthejnë biçikletën e vjerdhur sepse biçikleta- gjë që e konfirmon edhe policia, nuk ka dalë as nga oborri i shtëpisë. Naseri e ka prekur dhe e ka lënë aty. Babai dhe Angjeli e kanë parë që është aty, megjithatë janë bërë gati duke marrë armë të ftohta dhe kanë shkuar e kanë pritur atë përballë Spitalit, që shihet edhe në kamerën e sigurisë.

  6. GJYKATËSI I MOTIVUAR POLITIKISHT?

    Sipas avokatëve, duke e konfirmuar edhe gjyshi i Naserit gjykatësi Ilija Trpkov ka dalë disa herë nga salla për të folur në telefon në momentet kur duhej të silleshe vendimi. Më pas vendimi është sjellë për 10 minuta kohë konsultimi, që le dyshime se ka qenë i përgatitur më herët.
    Gjykatësi Trpkov i zgjedhur më vitin 2011 ka pak përvojë pune dhe atë në sektorin e shkeljeve të komunikacionit. Ai është i njëjti të cilit dy herë Gjykata e Apelit ia ka kthyer vendimin për rastin “Rover” me ish ministrin e Punëve të brendshme, Ljube Boshkovski. Madje Boshkovski për këtë gjykatës kërkonte ekspertizë psikiatrike.
    Trpkov ka qenë fillimisht i caktuar ta udhëheq rastin “Monstra” por më pas është vendosur gjykatës tjetër.
    Jo-zyrtarisht, ai është i afërt me Trajko Vlejanovskin, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë dhe ka marrë banesë pas këtij gjykimi, por redaksia e Portalb.mk nuk arriti ta verifikojë këtë informatë.
    Megjithatë, në njërën nga bisedat e përgjuara mes ish ministres së brendshme Gordana Jankullovska dhe kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski përmendet ndodhia e lagjes, materiali mund të ketë edhe pjesë të tjera por këtë duhet ta hetojë Prokuroria Speciale.

Transkripta e bisedës
T.V. –
E Gorde. A mund të flasësh?
G.J.  – Mundem, për ngjarjen më kërkon, kjo që ndodhi?
T.V. -Ku në Gjorçe? Po.
G.J. – Po, do ta rregullojmë të mos flasë shumë, do të jetë okej. Nesër do të kaloj nga  ti dhe do ta diskutojmë detajisht, me rëndësi do të jetë në rregull sonte.
T.V. – A do t’i lëshojnë tani?
G.J. – Të mos flas shumë Trajko, do të jetë në rregull, dhe nesër do të merremi vesh, do të kërkoja dhe unë, e di, s’dua shumë në telefon të flas.
T.V. – Mirë.
G.J. – E ashtu, hajde…
T.V. – D o t’i lëshojnë sot?
G.J. – Po be po, vetëm pak duhet kohë ta menaxhojmë që të jetë ashtu siç duhet, e di… Sepse nuk është e mjaftueshme vetëm t’i lëshojnë, të mos jetë diçka skandaloze, më kupton…
T.V. – Po be po…
G.J. – Ta mbulojmë punën, tani ishin njerëzit zyre, nuk dua shumë në telefon të flas, do të jetë në rregull ta dish do të kërkoja dhe unë.
T.V. – Mirë, pra.
G.J. – Kështu nesër do të shihemi dhe t’ia mendojmë. Hajde përshëndetje.

VIDEO E SIGURUAR NGA KAMERAT E SIGURISË NË SPITALIN E SYVE
Nga vetura e kaltër dalin Angjeli dhe babai i tij. Naser Eshtrefi është i veshur me të bardhë dhe ec nga vetura.

 Vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilën e vandalizuan disa qindra banorë të së njëtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit Petrov. Të njejtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptar.  Dëmet nga vandalizmi dhe huliganizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button