Kosovë: Qeveria dërgon në parlament marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi

Qeveria e Kosovës miratoi në mëngjesin e së enjtes projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Vendimi i qeverisë pasoi një debat 12 orësh të përfaqësuesve të institucioneve e partive politike, ekspertëve e diplomatëve perëndimorë, që nuk ndryshoi dallimet e thella rreth marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita dhe ekspertët e pavarur ritheksuan të mërkurën se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hodhën poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten se “ajo që ka punuar Komisioni Shtetëror është vërtetuar se ka qenë çdo gjë në rregull, se i është përmbajtur mandatit që e ka pas me vendim si Komision Shtetëror. Është vërtetuar se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë me këtë, dhe po ashtu me ligj ne e kemi lënë mundësinë që herë do kurdo në qoftë se vërtetohet ndonjë paqartësi ose ndonjë fakt juridik mbi të cilin ne mund të themi se ndonjë pëllëmbë e territorit ose një pjesë ka kaluar andej ekziston mundësia që me mirëkuptim me Malin e Zi ta rishqyrtojmë dhe ta rregullojmë edhe atë çështje. Për neve është me rëndësi themelore që ta ratifikojmë Marrëveshjen për Demarkacionin, që të krijojmë kushte të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit me Malin e Zi, sepse është një vend i cili na ka përkrahur vazhdimisht dhe me të cilin kemi pas marrëdhënie të shkëlqyera. Vend që tani po pranohet në NATO, do të thotë kemi të bëjmë me një shtet të NATO-s“.

Ai përmendi edhe vlerësimet ndërkombëtarë për këtë çështje, ndërsa theksoi se “kauza e opozitës lidhur me këtë është e paqëndrueshme, është artificialisht e krijuar. Nuk ka argumente që një çështje e tillë tani të kthehet ose që të pengohet, sepse na pengohen shumë procese të integrimeve evropiane dhe euroatlantike me këtë“, tha kryeministri Mustafa sipas të cilit projektligji shkon në parlament me procedura të rregullta.

E nënshkruar në gusht të vitit të kaluar në Vjenë, marrëveshja nuk ishte dërguar në parlamentin e Kosovës edhe për shkak të drojës së partive në pushtet se nuk mund të sigurojnë dy të tretat e votave, meqë edhe deputetë nga radhët e tyre mund të votojnë kundër për shkak të pakënaqësive me procesin.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Opozita ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të penguar miratimin e kësaj marrëveshjeje duke theksuar se nuk mund të këmbehet territori me lëvizjen pa viza. /Zëri i Amerikës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button