Aferat e korrupsionit në Maqedoni, vështirë të zbardhen

Lufta kundër korrupsionit në Maqedoni viteve të fundit thuajse nuk ekziston, ndërsa problemi qëndron në mos-funksionimin dhe jo-pavarësinë e sistemit. Kështu thuhet në raportin e rrjetit SELDI në bashkëpunim me disa organizata joqeveritare në Maqedoni, në lidhje me sfidat e korrupsionit të vendeve të Evropës Juglindore. Institucioneve u mungon pavarësia në punën e tyre ndërsa raportet e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë që nga viti 2007 e theksojnë problemin e mos-implementimit të ligjeve ekzistuese.

“Shumica e qytetarëve beson se pas papunësisë dhe varfërisë, korrupsioni është një ndër problemet më të mëdha sociale në vend. Mungojnë analizat e thella të shtetit për aferat korruptive, ndërsa institucionet posaçërisht ato që merrem me çështjet e korrupsionit nuk gëzojnë besim të madh” shkruhet në raport.

Komisioni shtetëror kundër korrupsionit në Maqedoni ka sistem të dobët anti-korruptiv të cilës i mungon pavarësia dhe paanësia gjatë miratimit të vendimeve ndërkaq organizatat jo-qeveritare kanë kapacitet të vogël.

“Deri më tani shumë pak organizata joqeveritare merren me çështjet e korrupsionit posaçërisht në ngritjen e vetëdijes të qytetarëve për ta njohur këtë fenomen. Qeveria nuk e pranon punën e organizatave jo-qeveritare dhe ata në të ardhmen do të ballafaqohen me shumë sfida” shkruhet mes tjerash në raport.

Kohëve të fundit në Maqedoni jemi dëshmitarë të akuzave për akte korruptive mes politikanëve, nga të cilat më të dokumentuara janë ata të opozitares LSDM kundrejt keqpërdorimeve të Qeverisë.
Deri më tani, asnjë rast nuk është zbardhur nga Komisioni për Anti-Korrupison. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button