Mbi 1 milion euro dëme nga breshri në Rahovec

Një Komision Vlerësues i Komunës së Rahovecit ka llogaritur në mbi 1,3 milion euro vlerën e dëmeve në bujqësi nga shiu e breshri i para dy javësh.
Shiu dhe breshri i ditëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në sektorin e bujqësisë në komunën e Rahovecit.

Sipas një Komisioni vlerësues të Komunës, i cili ka dalë në terren për të parë situatën, vlera e dëmeve në bujqësi është mbi një milion euro.

“Vlera e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë në Komunën e Rahovecit nga shiu-breshëri është 1,325,947.332 euro, me sipërfaqe 688.25 hektarë”, thuhet në një njoftim të Komunës së Rahovecit, transmeton Oranews.

Sipas Komisionit, zonat kadastrale më të prekura janë qyteti i Rahovecit, fshatrat Patoqani i Epërm, dhe Hoqa e Madhe.

Sipas këtij njoftimi, më së shumti dëme kanë pësuar vreshtat, pastaj kulturat lavërtare, të perimtarisë dhe pemëtarisë.

Haziz Krasniqi, nga zyra e kryetarit Idriz Vehapi, tha për KALLXO.com se këto dëme janë shkaktuar nga shiu dhe breshri që ka rënë para afro dy javësh.

“Raporti nga Komisioni Vlerësues i është dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk e dimë nëse Ministria do të bëjë diçka për kompensimin e dëmeve”, tha Krasniqi, duke shtuar se ka pasur shumë ankesa të qytetarëve por se Komuna nuk ka fonde për t’u dalë në ndihmë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button