Spektakël i policisë për t’i frikësuar qytetarët

Aksionet policore të cilat në kohët e fundit kanë marrë hov të madh, po mbjellin frikën dhe shqetësimin tek qytetarët, për shkak se ato po realizohen në një formë të zëshme dhe spektakolare.

Analisti politik Ymer Ismaili bën të ditur për Portalb, se shteti në këtë formë po përdor praktikat e tij për të frikësuar qytetarët dhe për të kontrolluar ata.

“Ka shumë vite që ky shtet është shndërruar në një shtet totalitar, ku element të parë ka frikësimin e qytetarëve dhe kjo gjë bëhet nëpërmjet mekanizmave  të sistemit që do të thotë policisë. Ky shtet ka nevojë për të tmerruar qytetarët e sidomos shqiptarët se në momentin që njeriu është i frikësuar, ai mposhtet”, tha Ismaili.

Ai shtoi se qytetarët e frikësuar nuk dinë të mendojnë dhe të gjykojnë drejt dhe në atë mënyrë ata janë nën kontrollin e shtetit.

“Qeveria e VMRO-së dëshmon ‘sovranitetin’ e saj edhe mbi popullin. Ne nuk mund të themi se nuk ka krim në këtë shtet, por  kjo parti bën klasifikimin e krimit të organizuar. Po të ishte arrestimi i drejtë, populli do të ishte i kënaqur, mirëpo arrestimi nuk bëhet në mënyrë të drejtë dhe normale. Madje kriminelët më të mëdhenj mbështet nga shteti dhe nuk arrestohen dhe nuk bëhen spektakle për ata. Këto veprime të policisë bëjnë një dallim shumë të madh politik, të dyshuarit më veç se për ata janë të akuzuar”, theksoi Ismaili.

Po ashtu edhe Përgjegjësja e Komiteti të Helsinkit, Uranija Pirovska tha se me spektaklet e policisë, pushteti tregon se ende ka fuqinë në duar.

“Elementi kryesor i cili duhet menjëherë të mënjanohet është ajo që të dyshuarit të trajtohen si të akuzuar. Nuk është e nevojshme të krijohen skena të atilla të cilat shqetësojnë edhe banorët e pafajshëm që jetojnë në këtë shtet. Nuk them që personat të cilët dyshohen për krim të mos arrestohen, por them që nuk është e nevojshme të krijohet një skenë e tillë, ku policia vetë filmon aksionin e arrestit”, tha për Portalb, Pirova.

Ajo shtoi së kështu pushteti mbjell frikën tek populli dhe ai ndikohet sidomos tani parazgjedhjeve të dyfishta.

“Normal që frika ndikon tek populli të cilët tani janë edhe elektorat për shkak se së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet të dyfishta. Pushteti nuk heziton të tregojë se ka fuqinë dhe këtë e bëjnë të ditur sa herë që iu jepet mundësia”, tha Pirovska.

Ndërkaq jemi dëshmitarë që policia gjatë kohës së fundit ka rritur aksionet e saja policore, në të cilat arrestohen të dyshuarit për krime të ndryshme dhe arresti i tyre bëhet në formë të organizuar dhe të zëshme, gjë që analistët më shumë e përshkruan si spektakël sesa si kryerje e detyrës.   

Lajme të ngjashme

Back to top button