Mbahet forumi Maqedonia 2025 që synon investimet e mërgatës

Forumi për biznesmenë dhe investitorë në Maqedoni nga diaspora ka mbledhur në Shkup mbi njëqind pjesëmarrës të cilët në Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë ditës do të diskutojnë për përvojat dhe përshtypjet e afaristëve në drejtim të tërheqjes së mërgatës për investime në kompani të reja në vend, raporton Anadolu Agency (AA)

Ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski, pas fjalimit që kishte para të pranishmëve në forumin “Maqedonia 2025“ u tha gazetarëve se në fokus të të njëjtit janë mërgimtarët të cilët kanë vendosur të kthehen përkohësisht në Maqedoni duke investuar në ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Ai shtoi se Forumi paraqet një përpjekje të të gjitha institucioneve të vendit, ndërkohë që synimi i tyre është të animojnë popullatën e re me prejardhje nga Maqedonia që punën praktike në kuadër të studimeve universitare në shtetet ku jetojnë ta bëjnë në Maqedoni dhe kështu të njihen dhe të përforcojnë lidhjet me shtetin amë, ndërsa për Maqedoninë paraqet një mundësi për të krijuar investitorë potencial.

“Kemi programe për përkrahje të investitorëve pavarësisht prejardhjes së tyre përfshirë pjesën e lehtësimeve tatimore me procedura të përshpejtuara për leje ndërtimore dhe regjistrim të kompanive, por në rastin e mërgatës ne kemi motiv shtesë sepse pjesa më e madhe e tyre njohin njerëz këtu prandaj do të ishte më e mirë që animimin e ideve ta bëjnë bashkë me afarristë vendor”, tha Poposki.

Vlladimir Robevski i cili tetë vite më parë kishte ardhur në Maqedoni nga Australia, deklaroi se nevoja për shtrirje të biznesit të tij nga lëmi i Teknologjisë Informative, e kishte sjellë në Maqedoni pasi siç tha e njohin mentalitetin e këtushëm dhe kanë besuar në cilësinë e punëtorëve.

Mungesa e investimeve sipas tij qëndron në mosnjohjen e realitetit të këtushëm.

“Ka tetë vitë që jam në Maqedoni dhe mund të them se kam bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet, fakultetet, komunat dhe OJQ-të, prandaj i inkurajoj të tjerët që të vijnë sepse ka potencial”, tha ai për të shtuar se kriza politike padyshim se ndikon në vendimet e afaristëve për të investuar.

Organizatori njofton se forumi “Maqedonia 2025 “do të prezantojë një studim të bazuar në një sondazh dërguar ekskluzivisht për investitorët nga diaspora, i cili shpalos detaje në lidhje me investimet e tyre që do të jep përgjigjen e pyetjeve që kanë të bëjnë me avantazhet e Maqedonisë, me cilësinë e mbështetjes administrative dhe klimës së përgjithshme për të bërë biznes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button