Boris Johnson: Nuk do ta braktisim rolin tonë udhëheqës në Evropë

Ministri i sapoemëruar i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe një prej ithtarëve kryesore të Brexit, Boris Johnson po qëndron sot në Bruksel në takimin e parë me homologët e tij nga BE-ja, me të cilët shpreson të punojë nga afër në të ardhmen.

Johnson, i cili është një nga mbështetësit kryesor të daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja, tha se rezultati i referendumit të muajit të kaluar “në asnjë mënyrë nuk do të thotë se Britania po lë Evropën”.

“Në asnjë mënyrë nuk do ta braktisim rolin tonë udhëheqës në bashkëpunim evropian dhe çdo lloj pjesëmarrjeje”, tha Johnson para takimit të Ministrave të Jashtëm Evropianë.

Ish-kryebashkiaku i Londrës, të cilin kryeministrja e re britanike Theresa May të mërkurën e kaluar e emëroi për ministër të Jashtëm, tha se mbrëmë ka pasur “bisedime shumë të mira” me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini dhe shprehu kënaqësinë e tij që sot qëndron në një takim të përbashkët me homologët evropianë të cilët ai i quajti miq.

“Është mirë të jesh këtu në kuadër të udhëtimit tim të parë të jashtëm. Gëzohem shumë për takimin me homologët”, tha Johnson para gazetarëve.

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini me rastin e takimit të sotëm, ka thënë se puna e përbashkët në politikën e jashtme dhe të sigurisë vazhdon dhe se sot, BE-ja mirëpret Johnson si “anëtar të ri të familjes”.

“Gjatë takimit të mbrëmshëm me sukses kemi shkëmbyer mendime mbi çështjet kryesore të cilat sot janë në rendin e ditës”, tha Mogherini.

Shefi i diplomacisë franceze Jean-Marc Ayrault i cili kohë më parë akuzoi homologun e ri britanik se “ka gënjyer shumë” gjatë fushatës së Brexit-it tha sot se me të do të bisedojë me sinqeritetin më të madh.

Ayrault gjithashtu bëri thirrje që sa më parë të fillojnë bisedimet formale për daljen e Britanisë së Madhe nga blloku 28-anëtarësh për ti dhënë fund pasigurisë në lidhje me qëllimin dhe qëndrimin e Britanisë ndaj partenrëve evropianë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button